Pas përfundimit të sezonit futbollistik në Superligën e Kosovës, Klubi i Futbollit “Drita” e mbylli edicionin me një fitore 4:1 ndaj Feronikelit 74. Mirëpo Drita kishte siguruar titullin kampion që në javët e mëparshme.

Me këtë rast, kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, ka uruar klubin dhe tifozët “Intelektualët” për këtë arritje të madhe.


“Mirëmëngjesi nga kampionët e padiskutueshëm,” shkroi Hyseni, duke shtuar: “Faleminderit FC Drita dhe Intelektualëve, që edhe një herë dëshmuat se jeni më shumë se një ekip e tifozëri – jeni frymëzim, krenari dhe zemra e Gjilanit. Falë jush, secila ndeshje bëhet legjendë, e secila fitore – festë.”

Ai theksoi se Gjilani vazhdon të mbetet jo vetëm qytet i futbollit, por edhe qytet i kampionëve, duke uruar ekipin për suksesin dhe përfaqësimin dinjitoz të qytetit.

FC Drita përfundon kështu edicionin 2024/2025 si kampione e Kosovës, duke shtuar një tjetër trofe të rëndësishëm në historinë e klubit dhe duke e vendosur Gjilanin në qendër të hartës së futbollit kosovar. /Telegrafi/