Kompania Rajonale e Ujësjellësit Prishtina ka bërë të ditur se borxhi i përgjithshëm për shërbimet e ujësjellësit ka kaluar shifrën prej 45 milionë eurosh, duke e cilësuar situatën si të papranueshme dhe me ndikim të drejtpërdrejtë në furnizimin e rregullt me ujë.

Në një njoftim drejtuar qytetarëve, KRU Prishtina thekson se mospagesa e faturave nga një pjesë e konsumatorëve, e dëmton sistemin e furnizimit.


“Ndërkohë që një pjesë e qytetarëve nuk paguajnë obligimet e tyre, në anën tjetër vazhdojnë kyçjet ilegale, të cilat dëmtojnë rëndë sistemin dhe krijojnë mungesë uji për konsumatorët e rregullt”, njofton KRU Prishtina.

Sipas njoftimit, të gjithë konsumatorët me borxhe obligohen që të shlyejnë menjëherë detyrimet e prapambetura ose të lidhin marrëveshje për pagesë me këste. Në të kundërtën, paralajmërohet ndërprerja e furnizimit me ujë, ndërmarrja e masave ligjore ndaj shkelësve dhe identifikimi e ndëshkimi i kyçjeve ilegale pa përjashtim.

KRU Prishtina e cilëson këtë si një apel serioz për rritjen e përgjegjësisë qytetare, duke rikujtuar se uji është një shërbim bazë jetik që kërkon bashkëpunim dhe disiplinë nga të gjithë konsumatorët.