KRU “Hidroregjioni Jugor” shkyç 13 lidhje ilegale të ujësjellësit në Prizren dhe Suharekë

Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Hidroregjioni Jugor” njofton se gjatë kësaj jave ekipet inspektuese kanë ndërmarrë aksione në terren, ku janë identifikuar dhe shkyçur gjithsej 13 lidhje ilegale nga rrjeti i ujësjellësit, përcjell Telegrafi.
Sipas njoftimit zyrtar të kompanisë, rastet e evidentuara janë regjistruar në: Prizren – 9 lidhje ilegale, Suharekë – 4 lidhje ilegale.
Nga “Hidroregjioni Jugor” bëhet e ditur se aksionet për zbulimin dhe parandalimin e keqpërdorimeve me ujin do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim.
Kompania thekson se ndaj të gjithë personave të përfshirë në raste të tilla do të ndërmerren masat përkatëse ligjore.
“Apelojmë tek të gjithë konsumatorët që të respektojnë rregullat dhe të shmangin veprimet e jashtëligjshme, të cilat dëmtojnë furnizimin e drejtë dhe të rregullt me ujë për qytetarët tanë”, thuhet në komunikatën e kompanisë.
KRU “Hidroregjioni Jugor” falënderon qytetarët për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e tyre në ruajtjen e një sistemi të drejtë dhe të qëndrueshëm të furnizimit me ujë. /Telegrafi/
















































