KRU “Hidrodrini” realizon pastrim dhe debllokim të rrjetit të kanalizimit në Deçan

Ekipet e Njësisë Operative të KRU “Hidrodrini” në Deçan, të mbështetura edhe nga sektori i kanalizimit në Pejë, kanë kryer sot një aksion pastrimi dhe debllokimi në pusetat dhe rrjetin e kanalizimit në disa zona kyçe të qytetit.
Ky intervenim është pjesë e angazhimeve të rregullta për mirëmbajtjen e sistemit të kanalizimit, me qëllim parandalimin e bllokimeve që shkaktohen nga mbeturinat dhe materialet e papërshtatshme që shpesh përfundojnë në këtë rrjet, përcjell Telegrafi.
Gjatë punimeve, ekipet kanë hasur në objekte të ngurta, mbeturina dhe materiale ushqimore të hedhura në mënyrë të pakontrolluar, të cilat dëmtojnë funksionimin e sistemit dhe shkaktojnë probleme të përsëritura.
Kompania apelon tek qytetarët që të shmangin hedhjen e materialeve të tilla në kanalizim dhe të kontribuojnë në ruajtjen e infrastrukturës publike, në mënyrë që të sigurohen shërbime më cilësore dhe funksionale për të gjithë. /Telegrafi/


















































