Krimet e luftës në zonën e Istogut, dëshmitari rrëfen momentet kur ishte rrahur nga i akuzuari Zharko Zariq

Në Gjykatën e Prishtinës në gjykimin ndaj dy të akuzuarve për krime lufte, Momir Pantiq edhe Zharko Zariq, në seancën e së martës (02.12.2025) ka dhënë dëshminë dëshmitari Sadush Kaliqanaj.
Sipas aktakuzës, Momir Pantiq, në kohën kur janë kryer krimet ka qenë kryeshef i stacionit policor në Istog, kurse Zharko Zariq ka qenë polic.
Ata akuzohen se në bashkëkryerje e kanë kryer veprën penale – krime lufte kundër popullsisë civile.
Dëshmitari rrëfeu para Gjykatës se si akuzuari Zharko Zariq në vitin 1998 me 10 persona të tjerë e kishte ndaluar dhe rrahur gjatë kohës sa ai kishte qenë duke shkuar për të prerë dru.
“Zharko Zariqi vetë i dhjeti diku më ka ndalu, më ka dalë përpara në vendin e quajtur Draliq, i cili na ka zbritur nga traktori dhe ka fillu që të na rrahte të gjithëve me kondak të automatit ma ka shky vetullën” – tha dëshmitari.
Kaliqanaj tha se i akuzuari Zharko Zariq e kishte goditur kur ai i kishte thënë se po e njeh atë.
“Po, me automatik më ka goditur në vetull, edhe në gojë, kur i kam thanë: ‘Po të njoh’. Ma ka shti automatikun në gojë dhe ma ka shky qiellzën” – tha dëshmitari.
Dëshmitari tha se personat e tjerë të cilët kishin qenë me të akuzuarin Zariq në natën kritike kur ishin ndaluar dhe rrahur, kanë pasur të gjithë maska dhe kanë qenë të armatosur.
Ndërsa për të akuzuarin Zariq dëshmitari tha se e kishte vërejtur në zë sepse ai edhe para kësaj ngjarjeje e kishte njohur atë.
“Kur më ka zbritë prej traktorit e kam vërejtë se është Zharko, si ka folë me mua e kam vërejtë në za, e kam njohur”- tha dëshmitari.
Më tej, dëshmitari tha se nuk ka njohuri se pse ata ishin ndaluar dhe rrahur atë natë.
Ndërsa shtoi se pas rrahjes që kishte pasur, atij i ishte dashur trajtim mjekësor.
Ndërsa për të akuzuarin Momir Pantiq ai tha se kishte qenë kryeshef i stacionit policor në Istog, dhe tha se ai e kishte udhëhequr Policinë dhe kishte dhënë urdhra në këtë stacion.
Dëshmitari tha se në natën kritike nuk e kishte parë të akuzuarin Momir Pantiq.
Ndërsa vetë i akuzuari Pantiq e pyeti dëshmitarin se pse ai nuk e kishte lajmëruar rastin e natës kritike tek ai.
Dëshmitari iu përgjigj të akuzuarit me “Si me e shkruajtë një letër e me e gjujtë në ujë”.
Dëshmitari më tej përshkruajti kushtet e jetesës së shqipëtarëve në vitin 1998.
Sipas dëshmitarit jeta në këtë kohë kishte qenë si në burg, duke thënë se nuk kanë mundur të dalin lirshëm.
Meqenëse ishte përfundimi i orarit të punës, seanca e sotme (02.12.2025) u ndërpre dhe e radhës pritet të mbahet më 04.12.2025
Trupi gjykues në këtë çështje penale është i përbërë nga Donikë Shala- Abdyli (kryetare), Arben Hoti dhe Kushtrim Shyti (anëtarë).
Në seancën e shqyrtimit fillestar të mbajtur më 07.10.2024, në Gjykatën e Prishtinës, dy të akuzuarit Momir Pantiq dhe Zharko Zariq nuk e kishin pranuar fajsinë.
Çfarë thotë dosja e Prokurorisë?
Sipas aktakuzës së 1 shtatorit 2024 të pandehurit Momir Pantiq dhe Zharko Zariq akuzohen se gjatë viteve 1998-1999 në territorin e komunës së Istogut, në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të forcave policore serbe, vepruan në shkelje të rëndë të rregullave të së drejtës ndërkombëtare.
Sipas aktakuzës Momir Pantiq nën përgjegjësinë individuale dhe përgjegjësinë komanduese si kryeshef i Stacionit Policor në Istog ka kryer vrasje, torturë, trajtim çnjerëzor, frikësim, shkatërrim të pasurisë, dëbim masiv dhe spastrim etnik të popullatës civile të nacionalitetit shqiptar në komunën e Istogut.
I pandehuri Zharko Zariq akuzohet se në cilësinë e policit të Stacionit Policor në Istog dhe si ekzekutues i urdhrave ka kryer vrasje, torturë, trajtim çnjerëzor, frikësim, shkatërrim të pasurisë, dëbim masiv dhe spastrim etnik të popullatës shqiptare në Komunën e Istogut.
Aktakuzën voluminoze për këtë rast mund ta gjeni këtu.
Po ashtu të gjitha raportimet e tjera lidhur me këtë rast mund ti gjeni në këtë LINK.
Gjykimet për krimet e luftës
Për masakrat dhe krimet e tjera të luftës dhe krimet kundër njerëzimit të kryera në Kosovë nga forcat serbe e jugosllave gjatë luftës së viteve 1998/1999 ishin gjykuar, e disa edhe dënuar, ish-udhëheqësit më të lartë politikë dhe ushtarakë të Jugosllavisë së mbetur dhe të Serbisë.
Ish-presidenti i Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviq ishte akuzuar për krime lufte dhe për krime kundër njerëzimit, të kryera nga forcat serbe e jugosllave në Kosovë. Millosheviq ishte akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, të kryera edhe në luftërat në Bosnjë dhe Hercegovinë, si dhe në Kroaci.
Gjykimi i tij në Gjykatën ndërkombëtare penale për ish-Jugosllavinë (ICTY), me seli në Hagë, nuk kishte marrë epilog pasi Millosheviq kishte vdekur më 11.03.2006 në qeli teksa po mbahej në paraburgim.
Millan Millutinoviq, ish-kryetari i Serbisë, ishte liruar nga akuzat për krime lufte gjatë konfliktit në Kosovë.
Nikolla Shainoviq, zëvendëskryeministër i Republikës Federale të Jugosllavisë, ishte dënuar me 18 vjet burg për krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës.
Dragolub Ojdaniq, ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 15 vjet burg për krime kundër njerëzimit.
Nebojsha Pavkoviq, ish-komandanti i Armatës së Tretë të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 22 vjet burg për krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës.
Vlladimir Llazareviq, ish-komandanti i Korpusit të Prishtinës të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 14 vjet burg për krime kundër njerëzimit.
Sreten Llukiq, ish-shefi i stafit të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë për Kosovë, ishte dënuar me 20 vjet burg për krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës.
Aktgjykimin të plotë, në gjuhën angleze, e gjeni këtu, raporton Kallxo.

















































