KREDO

Nga: Jack Kerouac Përktheu: Fadil Bajraj
Mbaje mend mbi të gjitha, Çun, se të shkruash nuk është
e vështirë, as e dhimbshme, shkrimi del prej teje
me lehtësi, mund të shkruash një tregim të shkurtër në një kohë
të shkurtër, dhe kur je i sinqertë me të, dhe se kur dëshiron
të impresionosh një të vërtetë, nuk është e vështirë,
as e dhimbshme, por e lehtë, e këndshme, me plot fuqi
të zbutur, sikur të ishe makinë shkrimi me një rezervë
letërsie që është e pakufishme, e madhe, e pafundme,
dhe e pasur. Sepse është e vërtetë, kjo është kështu. Mos e
harro këtë në momentet e tua më të zymta. Le të jenë të ngrohta
gjërat e tua, sa më thjeshtë dhe sa më bukur të jetë e mundur në
mënyrën amerikane, mos ua var veshin kritikëve, mos ta ndien
për tezat bajate akademike të studiusve, ata nuk e dinë se për çfarë flasin,
nuk merren me temën, ata janë të ftohtë, ti je i ngrohtë, ti je plot me
entuziazëm, ti mund të shkruash gjithë ditën e lume, ti e di mirë atë që di,
si Halper, mbaje mend këtë, Çun, dhe kur ndjehesh
sikur nuk mund të shkruash, gjoja se nuk ia vlen të merresh
me të, pasi jeta nuk është bash e mirë, lexoje këtë përsëri dhe
kuptoje se mund të bësh shumë të mira në këtë botë duke
nxjerrë të vërteta si këto, duke përhapur ngrohtësi, duke
u përpjekur të predikosh jetesën për hir të jetës, jo në
mënyrë intelektuale, por në mënyrën e ngrohtë, në mënyrën
e dashurisë, në mënyrën që thotë: Vëllezër ju përshëndes
krahëhapur, unë i pranoj dobësitë tuaja, unë ju ofroj
dobësitë e mia, hajde të mblidhemi dhe të drejtojmë gamën
e ekzistencës së pasur njerëzore. Mbaje mend, Çuno, paqen,
hirin, lavdinë, madhështinë e artit tënd; mbaje mend mirë këtë,
dhe kurrë mos e harro. Mos e harro pasionin. Mos e harro,
mos e braktis, mos e neglizho. Aty e ke, rendin dhe synimin; aty
e ke edhe kaosin, ama brenda teje, jo thellë në zemrën tënde,
aty nuk ka vend për kaos, aty ruaje paqen, hirin, bukurinë,
dashurinë, madhështinë ... Çuno, mund të shkruash një tregim të
shkurtër, ta thuash një të vërtetë, mund ta shkruash një tregim
të vockël sa çel e mshel sytë; kollaj e ke, ti je rrjedhë e fuqisë së
lëmuar, ti je shkrimtar, dhe mund t’i shkruash do gjëra të
neveritshme, dhe mund të shkruash gjëra të tilla me bollëk, sepse
je ti, dhe këtë mos e harro, Çuno, mos e harro këtë,
të lutem, të lutem Çuno, mos e harro veten; ruaje atë,ruaje atë,
ruaje veten; shkruaji me dhjetëra tregime të moçme të neveritshme,
lehtë e ke, është hir, bëje në mënyrën e amerikane, sa më thjeshtë dhe
sa më bukur të jetë e mundur; thuaje dhe shkruaje të vërtetën, sepse
ajo duhet shkruar dhe thënë. Mbaje mend, Çun, këtë që po ta them
sonte; mos e harro kurrë, lexoje këtë në momentet e tua më të zymta
dhe kurrë, kurrë mos e harro ... kurrë, ama bash kurrë mos e harro ... të
lutem, të lutem, Çuno të lutem ...

















































