KQZ vendos të rinumërohen 914 vendvotime nga zgjedhjet e 28 dhjetorit
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka vendosur që të rinumërohen gjithsej 914 vendvotime nga zgjedhjet e 28 dhjetorit.
Në 10 komuna rinumërimi do të bëhet në tërësi, ndërsa në 28 komuna të tjera do të rinumërohen vetëm 10 për qind e vendvotimeve.
Sipas KQZ-së, vendimi u mor pas raportit të Sekretariatit të KQZ-së (SKQZ), i cili gjatë kontrollit të videoincizimeve nga Qendrat Komunale të Numërimit kishte evidentuar mospërputhje mes votave të numëruara dhe atyre të shënuara në fletëvotime.
Më pas, SKQZ-ja ka kryer verifikimin e brendshëm të fletëvotimeve në 2 për qind të vendvotimeve, ose 52 vendvotime nga të gjitha komunat e Kosovës.
“Kuptohet se deri më 12 janar janë verifikuar 33 vendvotime, ku rezulton se votat e kandidatëve të numëruara në Qendrat Komunale të Numërimit nuk përputhen me ato të evidentuara në fletëvotime”, ka njoftuar KQZ-ja.
Në bazë të këtyre gjetjeve, KQZ-ja ka vendosur që rinumërimi i të gjitha vendvotimeve të bëhet në 10 komuna: Dragash, Kaçanik, Leposaviq, Prizren, Skenderaj, Shtime, Ferizaj, Vushtrri, Mamushë dhe Ranillug.
Ndërsa në 28 komunat e tjera do të rinumërohen 10 për qind e vendvotimeve. Këto janë: Deçan, Gjakovë, Gllogoc, Gjilan, Istog, Klinë, Fushë-Kosovë, Kamenicë, Mitrovicë e Jugut, Lipjan, Novobërdë, Obiliq, Rahovec, Pejë, Podujevë, Prishtinë, Shtërpcë, Suharekë, Viti, Zubin-Potok, Zveçan, Malishevë, Junik, Hani i Elezit, Graçanicë, Partesh, Kllokot dhe Mitrovicë e Veriut.
Kryesuesi i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, ka paralajmëruar se nëse pas rinumërimit konstatohen manipulime me votat e kandidatëve, rastet do të procedohen në organet kompetente dhe do të përfshijnë anëtarët e ekipeve të numërimit.
Rinumërimi do të zhvillohet në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve dhe nis sot, më 13 janar, në orën 18:00. /Telegrafi/






























