KQZ pranon vendimin e PZAP për Listën Serbe – ankesat mund të bëhen në Supreme brenda 48 orëve

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), ka konfirmuar pranimin e vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) lidhur me certifikimin e Listës Serbe.
Lajmin e ka bërë të ditur për Telegrafi zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.
“Mund t’iu konfirmoj se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka pranuar vendimin e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa lidhur me ankesën e paraqitur në këtë institucion”, tha Elezi.
Ai shtoi se palët kanë të drejtë ankese brenda 48 orëve në Gjykatën Supreme.
“Ndaj këtij vendimi të PZAP-it, palët kanë të drejtë ankese brenda 48 orëve në Gjykatën Supreme. KQZ do të presë që vendimi të marrë formën e prerë,” ka deklaruar Elezi për Telegrafi.
PZAP e ka anuluar vendimin e KQZ-së të datës 21 gusht, në të cilin KQZ kishte refuzuar certifikimin e kandidatëve të Listës Serbe për shkak të vlerësimit se disa kandidatë nuk i përmbushnin kriteret ligjore për të qenë pjesë e garës zgjedhore.
Sipas arsyetimit të PZAP, vendimi i KQZ-së nuk ka qenë i bazuar në mënyrë të duhur në ligj dhe nuk është dëshmuar bindshëm që kandidatët në fjalë janë në kundërshtim me nenin 29 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, i cili përcakton kriteret për të drejtën për t’u zgjedhur. /Telegrafi/


















































