KQZ ndërpret sot numërimin e votave në ora 12:00, procesi vazhdon më 1 janar

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur të përshtasë dinamikën e numërimit të votave gjatë ndërrimit të viteve, duke paraparë një ndërprerje të përkohshme të procesit për shkak të festave të fundvitit.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi konfirmoi për Telegrafin se procesi i numërimit më 31 dhjetor do të zhvillohet deri në mesditë, konkretisht deri në ora 12:00, pas së cilës do të pezullohet për pjesën e mbetur të ditës.
"Po, numërimi i votave do të zhvillohet sot (31 dhjetor) deri në ora 12:00, për t'u rikthyer më 1 janar, duke nisur nga ora 16:00", tha ai.
Ky vendim erdhi pas shqyrtimeve në kuadër të Këshillit për Operacione Zgjedhore, ku u diskutua për mënyrën e organizimit të punës së stafit gjatë ditëve festive.
Aktualisht janë numëruar mbi 68 për qind e votave për deputetë, derisa më janar pritet të finalizohet i gjithë procesi i numërimit. /Telegrafi/



































