Kovacic ‘vodhi shfaqjen’ pas barazimit dramatik të Chelseat me Man Utd, vrapon thuajse lakuriq drejt zhveshtores

Mesfushori i Chelseat, Mateo Kovacic, nuk humbi aspak kohë duke u zhveshur i gjithi për t’i dhuruar komplet fanellat e tij pas barazimit dramatik të skuadrës së tij me Manchester Unitedin sot (e shtunë) mbrëma.
Chelsea ishte afër një fitore të madhe, por u ndal me barazim 1-1 nga Unitedi në Stamford Bridge.
Blutë kishin parë rrugën e fitores kur Jorginho realizoi një penallti në minutën e 87-të të ndeshjes, pasi Armando Broja ishte rrëzuar në zonë nga Scott McTominay
Por, United luftoi dhe e barazoi në minutën e katërt të kohës shtesë, pas një goditje të bukur me kokë nga Casemiro.
Pas ndeshjes ndodhi diçka interesante që për akter kryesor pati mesfushorin e Bluve, Kovacic.
Teksa kamera shikonte në të gjithë fushën e Stamford Bridge në fund të ndeshjes, Kovacic mund të shihej duke vrapuar drejt tunelit, thuajse tërësisht i zhveshur.
Kovacic veçse kishte dhuruar për tifozët fanellën e tij dhe pantallonat e shkurtra dhe kishte mbretur vetëm me një palë të brendshme.
Pamja e çuditshme e kroatit që vrapon pothuajse lakuriq nëpër fushë, e shtyu ekspertin e Sky Sports, ish-sulmuesin e Chelseat, Jimmy Floyd Hasselbaink, të bënte shaka në koment, duke thënë: “Ai duket në formë!”.
Fansat në rrjetet sociale panë edhe anën qesharake të paraqitjes së papritur të Kovacic, ndërsa komentet interesante nuk munguan. /Telegrafi/























































