Kosovë-Shqipëri, forcohet bashkëpunimi doganor për lehtësimin e tregtisë dhe zhvillimin ekonomik

Drejtori i Përgjithshëm i Doganës së Kosovës, Agron Llugaliu, zhvilloi një takim zyrtar me Drejtorin e Përgjithshëm të Doganës Shqiptare, Besmir Beja, me synim thellimin e bashkëpunimit dypalësh dhe avancimin e agjendës së përbashkët në fushën doganore.
Gjatë takimit u vlerësua progresi i arritur ndër vite dhe niveli i lartë i koordinimit institucional, i cili ka ndikuar në përmirësimin e procedurave, rritjen e efikasitetit operacional dhe zgjerimin e shkëmbimeve tregtare ndërmjet dy vendeve.
Sipas njoftimit për media bëhet e ditur se vëmendje e veçantë iu kushtua funksionimit të Zyrës Doganore të Kosovës në Portin e Durrësit, si dhe zbatimit të sistemit One Stop Shop në pikën kufitare Morinë, mekanizma të cilët u vlerësuan si modele të suksesshme bashkëpunimi, duke reduktuar kohën e pritjes, ulur kostot për bizneset dhe lehtësuar qarkullimin e mallrave dhe pasagjerëve.
Drejtori Llugaliu theksoi rëndësinë strategjike të pranisë së Doganës së Kosovës në Portin e Durrësit, duke e konsideruar këtë një instrument kyç për fuqizimin e pozitës konkurruese të operatorëve ekonomikë të Kosovës dhe për rritjen e qasjes në tregjet rajonale dhe më gjerë.
Në kuadër të diskutimeve u trajtuan edhe prioritetet e përbashkëta për digjitalizimin, avancimin e shkëmbimit elektronik të të dhënave dhe forcimin e bashkëpunimit në hetime të përbashkëta, me qëllim rritjen e transparencës, sigurisë dhe parandalimin e veprimtarive të paligjshme.
Në përmbyllje, palët theksuan vullnetin për konsolidimin e mëtejshëm të partneritetit institucional dhe ndërmarrjen e hapave të rinj që mbështesin lehtësimin e tregtisë dhe zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik të Kosovës dhe Shqipërisë. /Telegrafi/




















































