LAJMI I FUNDIT:

Kosovë, 11 qershor 1999: Tony Blair dhe shmangia e “Luftës së Tretë Botërore”

Kosovë, 11 qershor 1999: Tony Blair dhe shmangia e “Luftës së Tretë Botërore”

Përgatiti: Daut Dauti

Pjesë nga ditari i Alistair Campbellit, këshilltar për media i kryeministrit britanik ,Tony Blair. Fjala është për gjendjen që ka ekzistuar në zinxhirin vendimmarrës, një ditë para se të hynin trupat e NATO-s në Kosovë.


E premte, 11 qershor 1999

Ajo që duhej të ishte ditë e mrekullueshme pozitive për të gjithë, u bë gati fiasko e plotë e shkërdhyer. Mbrëmë na kishin thënë se Paras-ët dhe Ghurka-t do të prinin sot për të hyrë në Kosovë. U zgjuam nga raportimet se do të kishte vonesë. Ishte sugjeruar se ne duhej t’i pritnim marinsat në mënyrë që edhe ShBA-ja të hynte gjithashtu. Kjo ishte thënë nga njerëzit që ishin atje, por potencialisht ishte shumë e dëmshme. Vonesa u bë storje. Dhe, kah mesi i paradites, erdhi lajmi se një konvoj i vogël i tankeve ruse ishte nisur nga Bosnja për Kosovë. Kjo e elektrizoi gjendjen. E vërteta ishte se askush nuk dinte për këtë gjë më herët. CDS [Guthrie] dhe George Robertson erdhën për t’u takuar me Tony Blairin, dhe u pajtuam që të mundohemi ta qetësojmë gjendjen, sikur që ne kinse gjithmonë kishim bërë me dije se punonim ngushtë me rusët. Dukej që gjithkush besonte se ata do të shkonin në Prishtinë para neve. Charles tha se mënyra e vetme që t’i mundnim rusët dhe ta siguronim aeroportin, ishte nëse e dërgonim një forcë nga ajri – helikopterë – dhe se kjo gjë ishte operacion pa rrezik.

Tony Blair ishte shumë i shqetësuar dhe tha se nuk mund të dërgonte trupa në një rrezik të tillë dhe se nuk dinim as se si ishte situata, çka e kishin ndërmend të bënin rusët dhe se ku po shkonin? Prandaj, u munduam të qetësoheshim. Pastaj, në orën 1:05 më telefonoi Wesley Clark dhe tha se trupat ruse po lëviznin dhe kishte marrë vesh se ata kishin kërkuar hapësirë ajrore nga Hungaria për gjashtë aeroplanët e tyre. Ose duhej të ndërhynim me një operacion të rrezikshëm ushtarak, ose do të rrezikonim ndarjen, me rusët që do të krijonin epërsi. Kjo tashti ishte operacion politiko-ushtarak. Ai tha se serbët ishin një qind për qind në bashkëpunim me rusët. Instinkti i tij ishte se ne duhej të hynim në Kosovë dhe ta merrnim aeroportin. Por, Jackson ishte i brengosur.

Unë i thashë se instinkti i Tony Blairit ishte i kujdesshëm dhe se do të bisedoja sërish me të. Clark tha se ky ishte rezultat i një ambiguiteti diplomatik mu në thelbin e marrëveshjes. Duhej t’i pyetnim udhëheqësit politikë që të na jepnin mbulesë të qartë. Kjo është punë e një strategjie të madhe. Pastaj, ai më tha se nuk dëshironte të merrej vesh se më kishte telefonuar dhe se kjo ishte një bisedë që nuk duhej shënuar.

Shkova te Tony Blair kur ai po merrej me hartimin e politikës së përditshme në katin e dytë. E nxorra nga dhoma dhe i tregova se çka më kishte thënë Wesley Clark. Mos e vrit kasnecin, i thashë. Ai tha “ti je duke sugjeruar që unë t’i humbasë disa ushtarë tanë në luftë me rusët. Kjo është Luftë e Tretë Botërore. Mundem vetëm të ngritem në Parlament dhe të them se ekziston një pështjellim në lidhje me atë se kush e kontrollon aeroportin. Por, nuk mund ta mbroj nisjen e Luftës së Tretë. Thuaj Clarkut se duhet të presim e të shohim se cilat janë planet ruse dhe ndërkohë ata duhet të hyjnë në Kosovë. Dëshiroj që Zoti t’i qetësojë pak këta gjeneralë’. /Telegrafi/