LAJMI I FUNDIT:

Kosova me sistem stabil bankar

Kosova me sistem stabil bankar

Banka Qendrore e Kosovës (BQK) ka hapur Javën Ndërkombëtare të Parasë, e cila sivjet shënohet me moton “Të mësojmë si të fitojmë dhe kursejmë më shumë”.
Ushtruesi i detyrës së Guvernatorit, Fehmi Mehmeti, tha se kjo javë ndahet në tri faza dhe iu dedikohet fëmijëve, si dhe studentëve të Universitetit të Prishtinës.

Ai theksoi se edukimi financiar ndikon në vetëdijesimin e qytetarëve për përdorimin e parasë.


“Edukimi financiar ndikon në vetëdijesimin e qytetarëve për përdorimin e parasë. Faza e parë e kësaj jave u dedikohet fëmijëve; faza e dytë u dedikohet studentëve, me ç’rast do të mbahen ligjërata; dhe në fazën e tretë do të ketë një konkurs për studentët e Universitetit të Prishtinës”, shpjegoi Mehmeti.
U.d. Guvernatori tregoi se në kuadër të kësaj, BQK lanson portalin ku mund të gjenden materiale për edukimin financiar. Më pas, Mehmeti foli edhe rreth zhvillimeve të fundit të sektorit financiar në Kosovë.
Ai tha se vazhdon të ketë rënie të normave të interesit për kredi.

Sipas tij, në fund të vitit 2017 norma ishte 6.1 për qind. “Kredidhënia ishte në vlerë 2.8 miliardë euro për vitin 2017. Kreditimi bankar regjistroi përmirësim të kushteve”.

Nga ana tjetër, kreditë janë rritur për 11.3 për qind në janar të këtij viti. Gjithashtu, sektori i sigurimeve ka shënuar rezultate pozitive.
Ndërkohë dhe niveli i kredive joperformuese është i ulët, krahasuar madje edhe me vende të BE-së.

“Cilësia e mirë e portofolit kreditor të sektorit bankar, e cila në vazhdimësi ka shfaqur shëndetin e mirë që gëzon sektori bankar i Kosovës, gjatë vitit 2017 shënoi përmirësim të mëtejmë të cilësisë. Norma e kredive joperformuese gjatë këtij viti zbriti në 3.1 për qind, nga 8.7% sa ishin në fillim të vitit 2014, e cila shprehur në përqindje paraqet një rënie prej 63.7%. Njëherësh, dëshiroj të theksoj se norma aktuale e kredive performuese paraqet normën më të ulët të shënuar në më tepër se 10 vite në sistemin bankar të Republikës së Kosovës. Shprehur në terma absolutë, vlera e kredive joperformuese nga 154 milionë sa ishin në fillim të vitit 2014, u përgjysmua në 77 milionë në fund të vitit 2017, ka thënë Mehmeti. /Telegrafi/