Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se përzgjedhja e Kosovës si shtet bashkëthemelues në “Bordin e Paqes”, një organizatë kjo e rëndësishme ndërkombëtare e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, është vlerësuar jashtëzakonisht pozitivisht nga liderë të shumtë botërorë dhe ka dhënë një mesazh të fuqishëm për shtetësinë dhe sovranitetin e Kosovës.

Në “Përballje Podcast” me kryeredaktorin Muhamet Hajrullau, Osmani tha se jo vetëm liderët që ishin të pranishëm në ceremoni, por edhe shumë të tjerë nga vende të ndryshme të botës, e kanë kontaktuar më vonë për ta vlerësuar këtë zhvillim.


“Në radhë të parë kjo është vlerësuar nga të gjithë liderët që atë ditë ishin aty, por edhe shumë liderë të tjerë që nuk ishin aty që kanë kontaktuar me mua më vonë, liderë të shteteve nga Evropa e deri në Azia e Amerika Latine është krijuar përshtypja që Republika e Kosovës është vërtet partnere e fuqishme e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Republika e Kosovës është zgjedhur nga Presidenti Trump si një nga shtetet që i beson për të qenë anëtare themeluese e një organizate që ka aq shumë rëndësi për të dhe do të thoja këtu dhe për gjithë botën dhe për paqen në botë”, u shpreh Osmani.

Ajo theksoi se gjatë diskutimeve me presidentë të ndryshëm, përfshirë edhe nga shtete që nuk e kanë njohur ende Kosovën, ky veprim i SHBA-ve është parë si sinjal i rëndësishëm për vendimet e ardhshme.

“Unë kam pasur diskutime me shumë nga presidentët që ishin prezentë atë ditë, sepse neve na ra të qëndrojmë bashkë para se të fillojë ceremonia, dhe në shumë prej këtyre diskutimeve edhe ata disa nga shtetet jonjohëse e kanë potencuar që për ta ky veprim i Amerikës ka domethënie të jashtëzakonshme edhe për vendimet e tyre që do të merren në të ardhmen në raport me Kosovën, pra ma kanë thënë këtë dhe kjo ka shumë-shumë rëndësi për ne”, tha tutje Osmani.

- YouTube www.youtube.com

Sipas Osmanit, fakti që Kosova është anëtare bashkëthemeluese e kësaj organizate ka peshë më të madhe se anëtarësimi në shumë organizata të tjera ndërkombëtare.

“Fakti që jemi anëtare bashkëthemelues me këto shtete, fuqizon subjektivitetin ndërkombëtar të Republikës së Kosovë, prandaj, edhe ne e kemi vlerësuar që anëtarësimi në këtë organizatë është edhe më e fuqishme jo vetëm për nga simbolika dhe rreshtimi politik, por edhe nga aspekti i fuqizimit të subjektivitetit ndërkombëtar që na ka mundësuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e them pa asnjë ekuivokë që kjo është më e rëndësishme se shumë nga organizatat e tjera”, u shpreh presidentja Osmani.

Presidentja mohoi se ky rreshtim ka shkaktuar ndonjë problem në raport me Bashkimin Evropian, duke theksuar se ka pasur mirëkuptim të plotë nga partnerët evropianë.

“Nuk ka pasur asnjë vërejtje të vetme që është shprehur në raport me Kosovën, përkundrazi, mirëkuptim të plotë është shprehur mirëkuptimi i plotë për anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë. Është parë dhe është vlerësuar nga shumë nga partnerët tanë evropianë si një mundësi që Kosovës t'i fuqizohet subjektiviteti ndërkombëtar dhe relacionet edhe me shtete jonjohëse, po ashtu ka pasur vlerësime për faktin që Kosova është përzgjedhur që të jetë shtet themelues i kësaj organizate dhe jo vetëm një shtet që do anëtarësohet më vonë që ka rëndësi jashtëzakonisht të madhe”, tha Osmani.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në Përballje Podcast Foto: Ridvan Slivova

Osmani theksoi gjithashtu rëndësinë simbolike dhe politike të përzgjedhjes së Kosovës si një nga 20 shtetet themeluese, krahas vendeve me popullsi dhe ekonomi shumë të mëdha.

“Ju i keni parë shumë nga shtetet që ishin aty janë shtete jashtëzakonisht të mëdha, shtete me treqind milionë banorë, shtete me dyqind milionë banorë, shtete me ekonomi të jashtëzakonshme disa prej tyre dhe Kosova të përzgjedhjet ndër njëzet shtete themeluese, kjo tregon vlerësim të jashtëzakonshëm nga ana e Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, deklaroi presidentja në “Përballje Podcast”.

Në fund, Presidentja Osmani tha se ky zhvillim ka dërguar një mesazh të fuqishëm në mbarë botën për shtetësinë e Kosovës dhe se rreshtimi me SHBA-të mbetet rruga e duhur dhe se kjo nuk ka rezultuar asnjëherë keq për Kosovën.

“Republika e Kosovës, si shtet sovran i pavarur në mesin e kombeve të lira është storie e përfunduar, nuk ka kthim mbrapa. Dhe i siguroi të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës edhe një herë që rreshtimi ynë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës vetëm të mira do i sjell Republikës sonë”, u shpreh Osmani. /Telegrafi/