Kosova merr nën kontroll objekte në Graçanicë dhe Shtërpcë ku vepronte Posta e Serbisë

Posta e Kosovës ka njoftuar se ka marrë nën administrim objektet në Graçanicë dhe Shtërpcë, ku deri së fundi ka operuar Posta e Serbisë. Sipas njoftimit zyrtar të mbrëmjes së 11 shtatorit, pas përfundimit të procedurave ligjore, këto prona janë regjistruar si pronë legjitime e Postës së Kosovës.
“Posta e Kosovës mbetet e përkushtuar në ofrimin e shërbimeve postare e financiare cilësore, të sigurta dhe transparente në gjithë territorin e vendit”, thuhet në komunikatë.
Në objektin në Graçanicë, i cili u mbyll më 15 janar 2024 në kuadër të aksionit për shuarjen e institucioneve paralele serbe, deri atëherë ofrohej pagesa e pensioneve, shtesave për fëmijë dhe ndihmave sociale për qytetarët serbë.
Autoritetet e Kosovës e konsiderojnë Postën e Serbisë dhe institucionet e tjera të saj si struktura ilegale. Mbyllja e tyre filloi në fillim të vitit 2024, pavarësisht kritikave ndërkombëtare se duhej ofruar një alternativë për qytetarët e prekur.
Ndërkohë, drejtori i Postës së Serbisë për Kosovë, Ivan Millojeviq, i pranishëm në Graçanicë gjatë dorëzimit të objektit, e cilësoi veprimin si “uzurpim”. Ai tha se ndërtesa ishte ndërtuar nga Posta e Serbisë në vitin 2004 dhe paralajmëroi ndjekje ligjore:
“Mesazhi im është se do të luftojmë me të gjitha mjetet ligjore për ta dëshmuar këtë në gjykatë. Por, e dini si është kur kadia edhe të padit, edhe të gjykon”, u shpreh ai.
Përveç Postës së Serbisë, gjatë dy viteve të fundit në Kosovë janë mbyllur edhe Banka Kursimore Postare, Banka Kombëtare e Serbisë, Fondi i Pensioneve dhe Sigurimeve Invalidore, qendrat për punë sociale, ndërmarrjet publike komunale dhe struktura të tjera paralele.


































