Zyrtarët e Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit theksuan se Kosova ka hyrë në një fazë të re të zhvillimit institucional me ligjin e ri, rregulloren e re të dhënave dhe mekanizmat e avancuara të raportimit, duke u afruar më shumë se kurrë standardeve evropiane,ndërsa paralajmëruan se dhuratat në kontekst zyrtar mbeten sfidë madhore për integritetin, transparencën dhe besimin publik, ndaj kërkohet rregullim i qartë, raportim i saktë dhe ndërgjegjësim i vazhdueshëm në të gjitha institucionet publike.

Zëvendësdrejtori i Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, Liridon Nikaj tha se Kosova ka hyrë në një fazë të re të zhvillimit institucional me ligjin e ri, dhe me rregulloren e re duke shtuar se me mekanizmat e rinj të raportimit ne vendi është më afër standardeve evropiane.


“Sapo hyn në hapësirat publike dhurata nuk është më gjest, është test, test i integritetit tonë, institucioneve tona, i drejtësisë tonë, por mbi të gjitha i besimit të qytetarëve me ne. Ky test, siç na mësojnë përvojat e vendeve të BE-së dhe të partnerëve tanë ndërkombëtarë, është një test që shumë shtete nuk e kanë kaluar lehtë, disa kanë dështuar për vite të tëra deri sa kanë krijuar sisteme të reja, disa kanë bërë reforma shumë të thella, por asnjë prej tyre nuk ka pasur sukses pa pranuar një të vërtetë themelore: dhuratat nuk janë kurrë neutrale ose e ndërtojnë integritetin ose e shkatërrojnë atë. Kosova ka hyrë në një fazë të re të zhvillimit institucional me ligjin e ri, dhe me rregulloren e re të dhënave, me mekanizmat e rinj të raportimit ne jemi më afër se kurrë standardeve evropiane”, tha Nikaj.

Yllka Basha, moderatore, zyrtare e lartë për inspektimin dhe auditimin e dhuratave në APK, prezantoi panelistët dhe tregoi arsyen pse po mbahet paneli.

“Ky aktivitet zhvillohet në kuadër të javës së integritetit nën udhëheqjen dhe koordinimin e Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit me qëllim ngritjen e ndërgjegjësimit dhe promovimin e praktikave të mira që kontribuojnë në transparencë dhe në llogaridhënie në sektorin publik”, shtoi Basha.

Drejtori i Departamentit për Kontrollin e Pasurisë dhe Dhuratave në APK, Afrim Atashi, theksoi që çështja e dhuratave ka qenë gjithmonë problem i agjencisë, por edhe i institucioneve të obliguesve të tjerë që kanë pasur për t’i deklaruar dhuratat.

“Çështja e dhuratave ka qenë gjithmonë problem i agjencisë, por edhe i institucioneve të obliguesve të tjerë që kanë pasur për t’i deklaruar dhuratat, dhe agjencia me kapacitetet e saj nuk ka pasur mundësi dhe kohë të merret me çështjen e dhuratave, edhe pse kjo është një arsye e madhe. Ligji ka ndryshuar katër herë deri më tani. Dhuratat janë çështje e lirshme që lidhet ngushtë me integritetin, transparencën dhe besimin publik. Një dhuratë mund të përfaqësojë një akt të zakonshëm, mirësjellje, por në kontekstin zyrtar mund të krijojë konflikt dhe ndikim të paligjshëm. Për këtë arsye, organizatat e vendeve moderne të Bashkimit Evropian, por edhe ne si Kosovë, kanë parapare rregulla të qarta se si të pranohen dhe regjistrohen këto dhurata”, tha ai.

Gzim Shala menaxheri i programeve dhe hulumtues i lartë ligjor theksoi se edhe pse dhurata mund të duket si gjest kulturor dhe jo ryshfet, ajo krijon gjithsesi një varësi morale tek zyrtari dhe mund të ndikojë në vendimmarrje qoftë duke e shtrembëruar atë, qoftë duke e dëmtuar besimin e publikut në drejtësi

“Në kuptimin kulturor ndoshta tek ne edhe në vendet e tjera dhurata ka një emër të mirë, është dhuratë, dhe nuk mund të ketë njëfarë perceptimi të përgjithshëm sepse nuk lidhet diçka me çështjen e ushtrimit të detyrave, nuk është ryshfet, mirëpo secila dhuratë e krijon një lloj varësie të minimumit moral në raport me një palë të caktuar, me një procedurë të caktuar e cila krijon edhe një vendim të padrejtë, e nëse vendimi është i drejtë atëherë të paktën mungesë të besimit të publikut mbi drejtësinë e atij vendimi. Në sektorin e drejtësisë dhurata shkon edhe në një nivel më të lartë, në mënyrë që të ruhet e drejta për gjykim të drejtë në kuadër të një rastit të caktuar”, tha Shala. /Kp/Telegrafi/