Kosova drejt përmirësimit, por të luftohet korrupsioni

“Në vlerësimin e fundit për Kosovën, kemi parë se ka zhvillime pozitive dhe Kosova ka lëvizur drejt përmirësimit të përgjithshëm. Kjo është e vërtetë si për vlerësimin vjetor të të drejtave politike dhe civile, edhe në raportin për vendet në tranzicion, që është raport më i detajuar. Në të dyja këto, Kosova ka shënuar përparime”, ka thënë Walker.
Nga ana tjetër, ai ka thënë se në të gjitha raportet e vlerësimit, kurdo që këto janë bërë, korrupsioni dhe krimi i organizuar zënë një vend të rëndësishëm, ndërsa kjo vlen jo vetëm për raportin e Freedom House.
“Ka rëndësi politike të përmirësohet gjendja në këtë drejtim, jo thjesht se kjo është në agjendën e bisedimeve me të huajt, por sepse, në fund të fundit, do të ndihmojë për një jetë më të mirë për qytetarët e thjeshtë të Kosovës. Reformat kundër krimit dhe korrupsionit janë pjesë e reformave më të gjera, pasi korrupsioni nuk mund të luftohet në zbrazëti. Korrupsioni ka tendencë të zvogëlohet kur kemi media të zëshme dhe të lira, kur ka një sistem drejtësie të pavarur, si dhe një shoqëri civile që mund t’i ushtrojë detyrat e veta si duhet. Janë këto zhvillime pozitive që kanë ndikim mbi korrupsionin. Prandaj, thuhet shpesh se korrupsioni më shumë është një simptomë e problemeve të tjera. Mendoj se kjo është e vërtetë në shumë raste”, ka shtuar Walker.
Sa i përket lirisë së shprehjes dhe të shtypit, Walker thotë se Kosova i takon grupit të vendeve që gjenden në mes sa i takon lirisë së mediave.
“Situata, sa i përket lirisë së mediave në Kosovë, është premtuese - kemi pluralizëm medial, madje kemi shumë aktorë medialë në një territor kaq të vogël... Qeveria dhe pushteti duhet të garantojnë që gazetarët të kenë mundësi të kryejnë punën e tyre në kushte normale dhe të lira. Ky është një nga elementet kyçe për reformat institucionale afatgjate në Kosovë”, u shpreh ai. /Telegrafi/




















































