Mbi 1600 të dëmtuar dhe autorë, specialistët: Ndërgjegjësimi po çalon.

“Konfliktet tek të miturit, për shkak të rrjeteve sociale, kanë ardhur në rritje nga viti në vit. Të dhënat e siguruara nga TV Klan tregojnë se në 5 vitet e fundit ka një rritje të numrit të personave të cilët janë përfshirë në konflikte me njëri‑tjetrin dhe për pasojë edhe të plagosurve të mitur”, raporton Tv Klan.


Të dhënat nga Policia e Shtetit tregojnë se vetëm këtë vit kemi 2 viktima, 346 të mitur të dëmtuar dhe 420 autorë të përfshirë në konflikt me ligjin për kanosje, plagosje të rëndë, plagosje të lehtë me dashje dhe rrahje me njëri‑tjetrin.

Në total, në 5 vitet e fundit 10 të mitur kanë humbur jetën nga konfliktet me njëri‑tjetrin, ndërkohë që 1600 të tjerë kanë pësuar dëmtime më të lehta, ndërsa afro 1550 janë regjistruar si autorë.

Sipas juristëve, toleranca ligjore e instancave ligjzbatuese duhet të jetë në përputhje me shkallën e fajësisë tek të miturit, për të mos lejuar më ngjarje të tilla.

“Konfliktet që trajtohen më tepër janë konfliktet në zonat urbane, ndërsa në zonat rurale ka një fashim të problemit, të sheshimit të tij brenda komuniteteve pa bërë shkresa. Kjo tolerancë ligjore duhet të jetë në përputhje me shkallën e fajësisë, edhe me mënyrën si sillet i mituri përballë gjykatësit apo prokurorit. Duhet të ketë një strategji përsa i përket kompensimit të viktimave, pasi ky kompensim është zero. Masa e ndërgjegjësimit të të miturve për të mos kryer krime ndoshta nuk është ajo e duhura”, shprehet avokati Ylli Kameri.

Për sociologët, krahas rrjeteve sociale dhe modeleve të tyre, të miturit që përfshihen në ngjarje dhune janë reflektim i defekteve që ka shoqëria.

“Defektet që ka shoqëria, përplasjet që ka shoqëria, mosvëmendja e drejtpërdrejtë për të rinjtë sjell konflikt dhe tension të shtuar. Arsyet janë: presioni i madh që të rinjtë kanë, presioni i lartë dhe izolimi social. Prindërit e kanë gati të pamundur sot të kontrollojnë të rinjtë; ata janë gjithë kohës në rrjete sociale dhe është e vështirë të dish në çfarë grupesh dhe aktivitetesh janë përfshirë. Madje në rrjete sociale ti shpërblehesh ekonomikisht nëse kryen veprime të tilla”, thotë sociologia Eris Dhamo.

Vetëm brenda një muaji në Shqipëri janë regjistruar dy ngjarje dhune mes të miturve, ku njëra ishte me humbje jete./Tv Klan