Komuna e Prishtinës paralajmëron qytetarët për ushtrimin e FSK-së në dy lokacione

Komuna e Prishtinës ka njoftuar qytetarët se gjatë fillimit të muajit shkurt do të zhvillohen dy aktivitete trajnuese nga kadetët e Forcës së Sigurisë së Kosovës në zona të ndryshme të kryeqytetit dhe rrethinës.
Sipas njoftimit, më 3 shkurt 2026, në zonën e Badovcit, Qendra Studimore Universitare e FSK-së do të realizojë një trajnim në terren për navigim tokësor me emërtimin “Rruga e Heronjve”.
Ndërkaq, më 6 dhe 7 shkurt 2026, në zonën e Koliqit, Qendra Studimore Universitare e Komandës, Doktrinës dhe Stërvitjes së FSK-së do të zhvillojë një vlerësim praktik për operacione mbrojtëse në terren.
Nga Komuna e Prishtinës është theksuar se ushtrime dhe trajnime të ngjashme janë realizuar edhe më herët nga kadetët e FSK-së dhe se ato kanë karakter profesional dhe edukativ.
Autoritetet komunale kanë kërkuar mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e qytetarëve gjatë zhvillimit të këtyre aktiviteteve, duke bërë të ditur se për çdo informatë shtesë do të ketë njoftime me kohë. /Telegrafi/




















































