Komuna e Podujevës hap thirrjen publike për projektin “Furnizimi dhe montimi i serrave”

Drejtoria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural në Komunën e Podujevës ka hapur ftesën publike për aplikim në projektin “Furnizimi dhe montimi i serrave”, që synon mbështetjen e fermerëve lokalë dhe rritjen e prodhimtarisë bujqësore.
Sipas njoftimit zyrtar, përmes këtij projekti do të përfitojnë gjithsej 149 fermerë, të ndarë sipas kapaciteteve të serrave: 134 përfitues me serra prej 50 m², 10 përfitues me serra prej 500 m², 5 përfitues me serra prej 1000 m².
Fermerët përfitues do të kontribuojnë me 30 për qind të vlerës së projektit, ndërsa Komuna e Podujevës do të mbulojë 70 për qind të kostos, në cilësinë e subvencionuesit.
Dokumentet e nevojshme për aplikim përfshijnë: kopjen e letërnjoftimit, certifikatën familjare, vërtetimin e tatimit në pronë, certifikatën mbi pronësinë e tokës, certifikatën e regjistrimit të fermerit (NIF) dhe raportin e pagesave direkte/subvencioneve 2025 për aplikuesit e serrave mbi 500 m².
Kushtet e përgjithshme kërkojnë që aplikuesi të jetë i regjistruar si fermer para datës së publikimit, të ketë mundësi të mjaftueshme për ujitje dhe përshtatshmëri të vendit për realizimin e projektit.
Ndërsa kushtet e veçanta parashohin që aplikuesit të jenë kultivues të perimeve dhe të posedojnë sipërfaqe të caktuara toke bujqësore, varësisht nga madhësia e serrës për të cilën aplikojnë.
Përparësi në përzgjedhje do të kenë aplikuesit që nuk kanë përfituar projekte të ngjashme në tre vitet e fundit, ata me arsim profesional në bujqësi, gratë fermere si dhe familjet me më shumë anëtarë.
Aplikimet dorëzohen në Zyrën e Shërbimit të Qytetarëve deri më 27 nëntor 2025, ora 16:00.
Ky projekt, i cili realizohet në bashkëpunim me fermerët përfitues, pritet të kontribuojë në zhvillimin ekonomik rural dhe në rritjen e kapaciteteve prodhuese në Komunën e Podujevës. /Telegrafi/

















































