Është mbajtur sesioni informues  “Fondi për Subvencionimin e bizneseve Start-up dhe bizneset e Grave 2025”, me çrast morën pjesë dhjetëra të rinj, gra, përfaqësues të bizneseve, qytetarë të interesuar, organizata lokale dhe nga Agjencia Zhvillimore Rajonale-Lindje.

Enver Shabani, drejtor për Zhvillim Ekonomik, tha se rëndësia e kësaj skeme është një mundësi konkrete për të mbështetur zhvillimin ekonomik lokal dhe për të fuqizuar iniciativat e reja të biznesit.


“Përmes kësaj skeme synohet përkrahja e ideve të qëndrueshme dhe inovative, të cilat ndikojnë pozitivisht në ekonominë lokale dhe krijimin e vendeve të reja të punës”, tha Shabani.

Nënkryetarja e Komunës Leonora Morina Bunjaku, tha se përmes fondit për ndërmarrësit edhe sivjet do të përkrahin gratë dhe sipërmarrësit e rinj.

Sipas saj roli i komunës është krijimi i një mjedisi të favorshëm për zhvillim ekonomik, duke inkurajuar qytetarët që të përfitojnë nga kjo mundësi dhe të kontribuojnë në rritjen e mirëqenies së përgjithshme në komunën tonë.

“Për herë të parë nga kjo qeverisjeje nga viti 2023 janë financuar idetë e grave dhe të rinjve në biznes e cila sivjet shënon vitin e tretë, ku edhe arrin shuma prej gjysmë milioni eurove”, tha Morina Bunjaku.

Nënkryetarja e Komunës së Gjilanit, inkurajoi gratë dhe të rinjtë që të aplikojnë për grante dhe të kontribuojnë së bashku në zhvillimin ekonomik të qëndrueshëm të komunës.

Gjatë sesionit, pjesëmarrësit u informuan në detaje për kriteret e aplikimit, prioritetet e përzgjedhjes si dhe dokumentacionin e nevojshëm. /Telegrafi/