Komuna e Gjilanit ka ftuar qytetarët dhe subjektet afariste që kanë pësuar dëme nga reshjet e shiut të datës 10 janar 2026, të paraqesin kërkesë për vlerësimin e dëmeve të shkaktuara.

Sipas njoftimit zyrtar të komunës, afati për aplikim është nga 15 janari deri më 31 janar 2026, ndërsa kërkesat duhet të dorëzohen në Qendrën për Qytetarë të Komunës së Gjilanit, drejtuar Komisionit për vlerësimin e dëmeve të shkaktuara nga fatkeqësitë natyrore.


“Për vlerësimin e dëmeve është e domosdoshme që pronarët e ekonomive familjare dhe subjektet afariste, të cilët kanë pësuar dëme nga reshjet e shiut të datës 10 janar 2026, të paraqesin kërkesë zyrtare brenda afatit të përcaktuar”, thuhet në njoftimin e Komunës së Gjilanit.

Komuna ka bërë të ditur se aplikuesit duhet të dorëzojnë dokumentacionin e nevojshëm, i cili përfshin: kërkesën drejtuar Komisionit, fotografi të objekteve apo gjësendeve të dëmtuara, adresën e saktë të lokacionit ku ndodhet objekti i dëmtuar, numrin e telefonit të aplikuesit, si dhe kopjen e letërnjoftimit. Për subjektet afariste kërkohet edhe certifikata e regjistrimit në ARBK.

“Të gjithë qytetarët e interesuar ftohen që aplikimet t’i dorëzojnë brenda këtij afati, në mënyrë që komisioni të ketë mundësi të bëjë vlerësimin e plotë dhe korrekt të dëmeve”, thekson Komuna e Gjilanit.

Nga komuna u bëhet thirrje qytetarëve që të respektojnë afatin e aplikimit dhe të sigurohen që dokumentacioni i dorëzuar të jetë i plotë, për të mundësuar trajtimin sa më efikas të kërkesave. /Telegrafi/