Komuna e Gjakovës mirëpret komandantin e ri të KFOR-it

Kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, priti sot komandantin e ri të bazës së KFOR-it në Gjakovë, toger Onur Alp Aydin, i shoqëruar nga zëvendësi i tij, Murat Bulu.
Takimi kishte karakter njoftues dhe shërbeu për shkëmbimin e informacioneve mbi zhvillimet lokale dhe prioritetet e komunës.
Kryetari Gjini e uroi togerin Aydin për detyrën e re, duke i dëshiruar suksese në ushtrimin e funksionit në Gjakovë, si dhe e informoi për situatën aktuale në qeverisjen lokale dhe fushën e sigurisë, përcjell Telegrafi.
Nga ana e tij, komandanti Aydin e uroi kryetarin Gjini për mandatin e ri dhe shprehu gatishmërinë për të vazhduar bashkëpunimin e ngushtë dhe efektiv me institucionet komunale.
Komuna e Gjakovës vlerëson partneritetin me KFOR-in, i cili prej gati tre dekadash mbetet një aleat kyç në ruajtjen e sigurisë dhe stabilitetit në Kosovë. /Telegrafi/

















































