Komuna e Drenasit instalon sisteme fotovoltaike në dy shkolla të mesme

Komuna e Drenasit ka përfunduar instalimin e sistemeve fotovoltaike në dy shkolla të mesme, në kuadër të investimeve për promovimin e energjisë së pastër dhe të qëndrueshme.
Sipas njoftimit zyrtar, panelet diellore janë instaluar në Shkollën e Mesme “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu”, me kapacitet prej 14.26 kWp, si dhe në Shkollën e Mesme “Fehmi Lladrovci”, me kapacitet prej 17.36 kWp.
Këto investime janë realizuar në bashkëpunim me Fondacionet e Shoqërisë së Hapur – Ballkani Perëndimor (OSF-WB), bazuar në Memorandumin e Bashkëpunimit për Avancimin e Tranzicionit të Energjisë Komunale, të nënshkruar më herët ndërmjet palëve.
Nga Komuna e Drenasit bëhet e ditur se ky projekt synon prodhimin e energjisë së pastër, uljen e kostove të energjisë elektrike dhe promovimin e qëndrueshmërisë mjedisore në institucionet arsimore.
Po ashtu, theksohet se Komuna e Drenasit mbetet e përkushtuar në zbatimin e projekteve që ndikojnë drejtpërdrejt në mirëqenien e qytetarëve dhe në mbrojtjen e mjedisit. /Telegrafi/
















































