Kompania e vëllait të shefit të kabinetit të Kurtit licencohet nga ZRRE për furnizim me energji elektrike
Bordi i Zyrës e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) përmes një komunikate ka njoftuar se në seancën e mbajtur të enjten ka marrë vendim për t’i aprovuar aplikacionet e dy kompanive për licencim të aktivitetit për furnizim me shumicë të energjisë elektrike, “Energy Kosova V.B” sh.p.k dhe “Management & Development Associates” sh.p.k.
Kompania e cila sot ka marrë sot licencë nga ZRRE është edhe "MDA" është kompani që drejtohet nga Driton Dalipi, vëllai i shefit të kabinetit të kryeministrit Albin Kurti, Luan Dalipi, transmeton Telegrafi.
Për kompaninë e përmendur më lartë, subjektet opozitare kishin hedhur disa akuza ndaj Qeverisë në detyrë, duke deklaruar se po krijohet “mafia energjetike”, tek e kundërshtonin vendimin për daljen e disa bizneseve në treg të hapur të energjisë.
Për këtë, një reagim e kishte bërë deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri.
“Luan Dalipi është themelues dhe njëkohësisht ka qenë pronar i kësaj kompanie. Pra, MDA e shefit të stafit të kryeministrit, që sot drejtohet nga Driton Dalipi, ka aplikuar për licencë për furnizim me energji elektrike në vendin tonë. Në njërën anë, kryeministri e dërgon vëllain në Departamentin për Shitblerje të Energjisë Elektrike në KEK dhe në anën tjetër shefi i stafit të kryeministrit kërkon licencë që këtyre kompanive që i kanë qitë në treg të lirë t’iu shesë energji elektrike”, kishte shkruar Tahiri.
Rreth kësaj, kishte reaguar Luan Dalipi, duke thënë se kompania MDA udhëhiqet nga vëllai i tij Driton Dalipi, dhe se ai ka aplikuar ligjërisht, ashtu siç bëjnë njerëzit normal.
“Po, është e vërtetë – që kur kam hyrë në Qeveri, Dritoni s’ka pushu së qenë vëllau jem (as nuk ishte për t’u pritur ndryshe ). Dritoni s’është ministër, s’është këshilltar, s’është as roje tek dera – është thjesht një qytetar i lirë që pas 20 vitesh punë të suksesshme në biznes, ka vendos, para rreth 1 viti, me provu fatin në tregun e liberalizuar të energjisë, si çdo tjetër. Aplikoi ligjërisht, siç bëjnë njerëzit normalë. Portalet që e bënë këtë “Breaking News” ndoshta kanë nevojë për pushim veror… ose një kurs bazik në ekonomi. Kurse për ata që duan të dinë më shumë – lexoni më poshtë”, ka shkruar ai.
Ndryshe, bizneset kanë protestuar dy herë në Prishtinë, duke kundërshtuar daljen në treg të lirë të energjisë elektrike, ata kanë kërkuar reflektim nga institucionet përgjegjëse, duke paralajmëruar radikalizim të protestave.
Përfaqësuesit e bizneseve deklaruan se kanë nevojë për afat kohor, në mënyrë që të dalin në treg të lirë të energjisë./Telegrafi/






























