Komanda Qendrore e SHBA-së ka publikuar pamjet që tregojnë lëshimin e raketave nga shkatërruesit USS Gravely dhe USS Carney drejt objektivave Houthi në Jemen.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, pamjet tregojnë gjithashtu aeroplanë që ngrihen nga aeroplanmbajtësja USS Dwight D Eisenhower.


Pamjet janë filmuar gjatë sulmeve të së shtunës mbrëma.

Më vete, të dielën mbrëma, Komanda Qendrore e SHBA tha se ata kishin kryer "sulme vetëmbrojtëse" shtesë në Jemen të dielën në mëngjes.

“Forcat amerikane identifikuan raketat në zonat e kontrolluara nga Houthi të Jemenit dhe përcaktuan se ato paraqisnin një kërcënim të menjëhershëm për anijet e marinës amerikane dhe anijet tregtare në rajon”, thuhej në një deklaratë.

"Këto veprime do të mbrojnë lirinë e lundrimit dhe do t'i bëjnë ujërat ndërkombëtare më të sigurta për anijet e marinës amerikane dhe anijet tregtare".

Ndryshe, SHBA - si dhe Britania e Madhe - kanë kryer sulme ndaj objektivave ushtarake që u përkasin rebelëve Houthi të mbështetur nga Irani në përgjigje të sulmeve ndaj anijeve të mallrave në Detin e Kuq. /Telegrafi/