LAJMI I FUNDIT:

Kolegji “Mehmet Akif”: Të arrestuarit dje nuk janë deportuar në Turqi, ata ndodhen në Kosovë

Kolegji “Mehmet Akif”: Të arrestuarit dje nuk janë deportuar në Turqi, ata ndodhen në Kosovë

Drejtuesit e kolegjit “Mehmet Akif” përmes një njoftimi dërguar mediave, pretendojnë se shtetasit turq të arrestuar dje nuk janë deportuar për në Turqi dhe se të njëjtit sipas tyre gjenden në Kosovë.

Në këtë njoftim thuhet se “sipas disa informacioneve të ardhura z. Mustafa Erdem dhe z. Yusuf Karabina po mbahen ende në ambasadën turke në Prishtinë ndërsa z. Hasan Huseyin Gunakan, z. Kahraman Demirez dhe z. Cihan Ozkan mbahen ende të fshehur në aeroportin Adem Jashari, për doktorin Osman Karakaya nuk dihet fati i tij”.

Të njëjtën gjë e ka potencuar edhe avokati i cili po qëndron së bashku me familjarët e të arrestuarve para ndërtesës së Qeverisë.


Gjatë ditës së djeshme po nga ky email është njoftuar edhe arrestimi i të apostrofuarve më lartë.

Ndërkaq ende nuk ka asgjë zyrtare se a ndodhen në Kosovë apo jo siç po pretendohet nga kolegji “Mehmet Akif”.

Më poshtë njoftimi i plotë i tyre pa ndërhyrje:

Përshëndetje
Avokatëve dhe familjarëve e personave të kidnapuar dhe siç është përhapur deri më tani kinse të deportuar në Turqi nuk iu është dhënë e drejta e kontaktit dhe nuk iu jepet asnjë informacion në lidhje me ta.
Sipas disa informacioneve të ardhura z. Mustafa Erdem dhe z. Yusuf Karabina po mbahen ende në ambasadën turke në Prishtinë ndërsa z. Hasan Huseyin Gunakan, z. Kahraman Demirez dhe z. Cihan Ozkan mbahen ende të fshehur në aeroportin Adem Jashari, për doktorin Osman Karakaya nuk dihet fati i tij.
Thërrasim institucionet mediat dhe shoqërinë civile që të kërkojnë llogari nga institucionet në fjalë të bllokojnë urgjent deportimin e jashtëligjshëm të tyre duke vepruar menjëherë ngaqë në çdo çast pritet deportimi i tyre në rrugë të fshehura.
Kosova ende ka shpresë të ruaj dinjitetin e saj. /Telegrafi/