Kryetari i Komunës së Mitrovicës së Jugut, Faton Peci, ka arritur marrëveshje koalicioni me Lidhjen Demokratike të Kosovës për udhëheqjen e kësaj komune.

Si rezultat i këtij koalicioni, pozita e kryesuesit të Kuvendit Komunal i ka takuar LDK-së, ndërsa në këtë funksion është zgjedhur Safet Kamberi.


Kamberi ka marrë mbështetjen e 18 asamblistëve, ndërsa 10 kanë votuar kundër dhe dy vota janë shpallur të pavlefshme.

Në një fjalë rasti, pas zgjedhjes, Kamberi u zotua se si "kryesues do të bëj më të mirën për Komunën e Mitrovicës duke çuar përpara gjithçka që është në interes ë komunës".

“Një falënderim të veçantë për anëtarët e Kuvendit, për besimin që ma dhanë, që unë të jem kryesues i Kuvendit të Komunës së Mitrovicës. Dhe pa e zgjatur shume, unë vetëm diçka dua me iu premtua anëtarëve të Kuvendit. Unë si kryesues i Kuvendit, do të jem në nivelin e përgjegjësisë, do të respektojë në mënyrën më të mirë të mundshme Ligjin për vetëqeverisje lokale, po ashtu Rregulloren e Kuvendit dhe ju garantoj se secili anëtar i Kuvendit do ta ketë hapësirën e vet të diskutimeve. Kështu unë zotohem se unë si kryesues do të bëj më të mirën për Komunën e Mitrovicës duke çuar përpara gjithçka që është në interes ë komunës”, tha ai.

Zgjedhja e kryesuesit është bërë në një mbledhje urgjente të Kuvendit Komunal, e cila është thirrur mbrëmjen e së mërkurës në orën 21:30. Mbledhja ishte planifikuar fillimisht të mbahej të enjten në orën 10:00, por është avancuar për shkak të afatit ligjor.

11 dhjetori ka qenë afati i fundit për zgjedhjen e kryesuesit të Kuvendit Komunal.

Sipas Ligjit për Vetëqeverisje Lokale, kryesuesi i Kuvendit duhet të zgjidhet brenda 30 ditëve nga betimi i kryetarit të komunës.

Kryesuesi i sapozgjedhur, Safet Kamberi, ka bërë të ditur se pavarësisht mbledhjes urgjente, Kuvendi Komunal do të mbajë edhe një seancë të rregullt, e cila do të zhvillohet nesër në orën 10:00.

Ndryshe, Faton Peci është betuar zyrtarisht si kryetar i Komunës së Mitrovicës së Jugut më 12 dhjetor 2025.