KMDLNJ: “Shtëpia e verdhë” ka filluar të marrë peshë

KMDLNJ, në një komunikatë për media ka potencuar faktin se, “Dosja e “Shtëpisë së verdhë” - që ka të bëjë me krimet që dyshohet të jenë bërë në veri të Shqipërisë ndaj serbëve në vitin 1999, respektivisht transplantimin dhe shitjen e organeve të tyre - ka filluar të marrë peshën dhe seriozitetin, përkundër faktit se ajo është një gënjeshtër e kulluar.
Me kërkesë të Beogradit kjo dosje i është dorëzuar pak ditë më parë autoriteteve të Serbisë dhe EULEX-it nga ana e Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë.
KMDLNJ kërkon që kjo çështje të trajtohet seriozisht, ndonëse e potencon faktin se është krejtësisht e pa vërtetë. “E drejta për të siguruar informatën për të zhdukurit është e drejtë e familjarëve, ata që janë përgjegjës në një mënyrë apo tjetrën për rrëmbimin dhe zhdukjen e personave duhet të tregojnë për fatin e tyre, çka është bërë me ta? Duhet të ekzistojë vullneti politik por edhe presioni për t’u sqaruar fati i personave të pagjetur. Vetëm në atë mënyrë “çështja e dosjes së Burrelit ‘do të hiqet nga rendi i ditës’”, thuhet në komunikatën e KMDLNJ-ës.
“Vetëm atëherë do te dihet a është bërë transplantimi dhe trafikimi i organeve në Burrel të Shqipërisë (ku nuk ka pasur as kushte elementare) apo në Akademinë Mjekësore Ushtarake në Beograd ,ku kushtet për transplantimin e organeve dhe trafikimin e organeve kanë qenë më shumë se të volitshme”, theksohet në këtë komunikatë.
Çështja rreth Shtëpisë së verdhë u riaktualizua pasi kryeprokurorja e Hagës, Carla Del Ponte, në librin e saj “Gjuetia” të botuar vitin e kaluar, hodhi dyshime për transplantim të organëve të serbëve nga pjesëtarët e ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në veri të Shqipërisë.
Rihapjen e hetimeve për krimet që dyshohet të jenë bërë në veri të Shqipërisë, përveç Serbisë, e ka kërkuar edhe Komisioni Evropian në raportin e fundit të progresit për Kosovën.
Ministrja e Drejtësisë e Kosovës, Nekibe Kelmendi tha se ky rast është hetuar tri herë nga Prokuroria e Hagës dhe nuk janë gjetur fakte që vërtetojnë kryerjen e mundshme të krimeve në atë zonë. Por ajo nuk kundërshtoi rihapjen e procesit hetimor, duke shprehur bindjen se krime të tilla nuk kanë ndodhur. /BBC/Telegrafi/












































