LAJMI I FUNDIT:

Klosi: Unë dhe shteti shqiptar nuk kemi gisht në vrasjen e Ahmet Krasniqit

Klosi: Unë dhe shteti shqiptar nuk kemi gisht në vrasjen e Ahmet Krasniqit

Ish-shefi i Shërbimit Informativ Kombëtar të Shqipërisë (SHIK), Fatos Klosi, të cilit i është njohur statusi i veteranit të UÇK-së, ka deklaruar se kontributi i tij gjatë luftës në Kosovë ka qenë shtetëror në kuadër të shërbimit që drejtonte.

Në një intervistë për “Epokën e re”, Klosi ka thënë se ndihet krenar që ka pasur rastin ta ndihmojë luftën e UÇK-së.

Klosi, i cili gjatë luftës në Kosovë ka qenë shef i SHIK-ut të Shqipërisë, u është kundërpërgjigjur edhe akuzave për vrasjen e Ahmet Krasniqit, ish-ministër i Mbrojtjes në Qeverinë e Bujar Bukoshit. Ai ka mohuar se ka gisht në vrasjen e Krasniqit. Në këtë kontekst, Klosi ka deklaruar se shteti shqiptar nuk ka pasur kurrfarë interesi të vritej Ahmet Krasniqi.

“Epoka e re”: Z. Klosi, Kosova pothuajse është në përfundim të verifikimit të veteranëve të UÇK-së. Edhe juve ju është njohur statusi i veteranit. Si e vlerësoni këtë proces?


Klosi: Mua më ka ardhur mirë që nuk janë ngutur në verifikimin e veteranëve, sepse mund të bëhej edhe më përpara. Natyrisht, nuk ka qenë dhe nuk është një proces i lehtë, pra është një proces i vështirë, meqenëse lufta ka qenë e vështirë. Ka qenë një luftë partizane, e cila nuk ka pasur lista të qarta dhe të sakta të atyre që kanë qenë pjesë e saj. Formacionet ushtarake sajoheshin, pastaj detyroheshin të shpërndaheshin. Kështu që, lufta e UÇK-së ka qenë një luftë partizane dhe ka qenë shumë e vështirë të bëhet evidentimi i saktë i atyre që kanë marrë pjesë në luftën e Kosovës. Tani tri vjet pas ligjit që unë e quaj, është koha e mjaftueshme që sajohen listat definitive, pasi listat që janë shpallur janë preliminare.

“Epoka e re”: Si e keni e ndjerë veten kur e keni parë se ju njihet statusi i veteranit për kontributin që keni dhënë në luftën e UÇK-së?

Klosi: E kam ndier veten të vlerësuar. E quaj veten me fat që kam arritur të rreshtohem krah për krah me çunat që e bënë luftën në Kosovë. Lufta e UÇK-së ishte e madhe për gjithë kombin shqiptar, sidomos për Kosovën. Unë pata fatin të jem në një detyrë dhe kam mundur të kontribuoj për luftën.

“Epoka e re”: Kontributi juaj në luftën e UÇK-së ka qenë personal apo shtetëror?

Klosi: Kontributi im në luftën e Kosovës kundër Serbisë ka qenë shtetëror. Nuk ishte personal. Unë në atë kohë kam drejtuar një institucion të rëndësishëm. SHIK-un. Kështu qëm kontributi im ka përfaqësuar opinionin shtetëror të Shqipërisë. Unë kam dhënë ndonjë vërejtje se mund të ishte bërë më shumë për Kosovën nga shteti shqiptar, por kjo nuk do të thotë se kontributi im është personal. Absolutisht jo. Kontributi është i shtetit dhe unë pata fat që isha në atë detyrë. Natyrisht kam dhënë edhe kontributin tim personal. Kontribut të veçantë në luftën e Kosovës ka populli shqiptar në përgjithësi. Nuk duhet ta harrojmë eksodin e popullit të Kosovës gjatë luftës, ku ne i konsideruam shqiptarët e Kosovës ashtu siç janë, vëllezër.

“Epoka e re”: Në Kosovë ka pasur reagime kur ju është njohur statusi i veteranit të UÇK-së. Madje ju kanë bërë përgjegjës për vrasjen e Ahmet Krasniqit. Cila është e vërteta?

Klosi: E vërteta është se unë nuk kam dorë në këtë punë. Qeveria shqiptare dhe shteti shqiptar nuk kishin asnjë interes të vritej Ahmet Krasniqi. Meqenëse kjo vrasje ndodhi në territorin shqiptar, shteti shqiptar ka përgjegjësi për atë që ndodhi. Është absurde të mendosh se shteti shqiptar e bëri atë gjë. Nuk mund ta bënte këtë gjë dhe pse ta merrte këtë përgjegjësi të kotë. Z. Krasniqi as nuk i prishte e as nuk i ndreqte punë shtetit shqiptar. Unë me Krasniqin kam pasur disa kontakte për problemet e FARK-ut, të cilin ai e komandonte. Unë kam ndihmuar që edhe FARK-u të merrte pjesë në luftën në Kosovë.

Natyrisht gjërat nuk ishin aq të thjeshta. Ata (FARK-u) kishin opinionet e tyre për gjërat, por kjo absolutisht nuk përbënte asnjë lloj arsye që unë apo shteti shqiptar ta konsideronim z. Krasniqi njeri që duhej eliminuar. Është absurde në çdo pikëpamje po ta mendosh një gjë të tillë. Ne nuk kishim asnjë interes të dilnim të humbur, edhe pse dolëm të humbur, sepse përgjegjësia ishte e shtetit shqiptar edhe për ta mbrojtur Krasniqin, meqenëse ai ishte me qëndrim të përkohshëm në Shqipëri. Ai kishte repartet e tij të mbrojtjes.

Z. Krasniqi kishte një skuadër, kishte njerëz dhe shumë oficerë, por ishin të lirë në Shqipëri dhe nuk pengoheshin nga askush, meqenëse janë këshilluar të bënin atë detyrë që pretendonin se ishin krijuar, pra të futeshin në Kosovë e mos të rrinin në Tiranë. Por, ata me arsye të ndryshme e kanë justifikuar faktin se akoma nuk ishin përgatitur, pasi ushtria jugosllave ishte shumë e fuqishme dhe nuk ishte e kollajshme të përplasej me të, prandaj duheshin përgatitje dhe duhej armatim të futeshin në Kosovë. Diferenca e vetme midis nesh ka qenë vetëm ky problem, se pse ata nuk po futeshin në Kosovë, por rrinin akoma në Shqipëri dhe kapardiseshin me uniformat e UÇK-së, por nuk kishin asgjë të përbashkët me UÇK-në.

FARK-u ishte njësi në vete, ushtri e qeverisë Bukoshi, ndërsa UÇK-ja ishte një tjetër formacion, e cila ishte krijuar me filozofi, ide dhe metoda të tjera. Pavarësisht kësaj, kurrë nuk ka shkuar puna që ne ta konsideronim armik Krasniqin, pastaj ta eliminonim.

“Epoka e re”: Pra, këto akuza i vlerësoni si propagandë?

Klosi: Të gjitha këto janë propaganda. Unë e kam thënë këtë edhe më herët. Prokuroria shqiptare e ka hetuar çështjen. Natyrisht nuk ishte e kollajshme. Edhe ne u përpoqëm të merrnim vesh se si kishte ndodhur ky rast, prandaj nuk është hera e parë që e dëgjoj këtë akuzë. Akuza është shumë e vjetër. Dhe që nga atëherë, nëse lind diçka konkrete për këtë punë, do t’i këshilloja që çdo gjë që kanë t’i dërgojnë tek institucionet përkatëse në Tiranë. Nëse nuk kanë besim tek institucionet, atëherë le t’i botojnë faktet që kanë.

Akuzat e pambështetura dhe vetëm me një llaf, se Fatos Klosi ka bërë këtë veprim, më duken absurde. Nëse kanë vetëm një argument të vetëm, le ta prezantojnë atë. Le të tregojnë se për çfarë arsye e vrau Fatos Klosi, Ahmet Krasniqin. Le të tregojnë se çfarë meraku kishte Fatos Klosi për ta bërë një gjë të tillë. Absolutisht nuk kam pasur asnjë lloj meraku. Për mua z. Krasniqi ishte një njeri i cili kishte bindjet e veta dhe aktivitetin e vet. Kishim diferenca dhe pikëpamje të ndryshme. Kaq. Unë e kam çmuar Krasniqin për seriozitetin, sepse ishte burrë serioz dhe profesionist në punën e vet.

“Epoka e re”: Tani kur jemi në përmbyllje të procesit të verifikimit të veteranëve të UÇK-së, temë qendrore në Kosovë është themelimi i Gjykatës Speciale, e cila do të merret me luftëtarët e lirisë. Çfarë vlerësimi keni për këtë gjykatë?

Klosi: Unë nuk kam ndonjë vlerësim për t’i lavdëruar ata të cilëve u ka vajtur mendja që ta themelojnë Gjykatën Speciale. Nuk e di pse priten kaq shumë, pasi lufta ka 16 vjet që kur ka mbaruar dhe do të ishte më e drejtë dhe ndoshta e kollajshme për faktet dhe gjërat që mund të kishte. Diskutimet do të duhej të bëheshin më herët. E di që Gjykata e Hagës është marrë me këtë proces, ku disa nga udhëheqësit e UÇK-së janë gjykuar atje dhe janë shpallur të pafajshëm sepse nuk kishin prova bindëse. Pretendimet e Gjykatës Speciale duket se do të jenë të ngjashme sikurse të Gjykatës së Hagës. Ky proces kërkon argumente, kërkon prova dhe jam i sigurt se këto gjëra nuk janë aq të kollajshme. Megjithatë, në një farë mënyre e kam mirëpritur themelimin e kësaj gjykate, jo se shpresoj se do të bëjë ndonjë gjë të madhe, por më në fund do të përmbyllet përfundimisht ky problem. Ky problem është zgjatur shumë dhe nuk i bën mirë Kosovës.

“Epoka e re": Do të duhej që kjo gjykatë të themelohet nga autoritetet e Kosovës apo nga ato ndërkombëtare?

Klosi: Kjo gjykatë do të duhej të themelohej nga Kosova por, me sa duket, autoritetet e Kosovës s’e bëjnë dot, apo nuk e kanë bërë në mënyrë të mjaftueshme. Normalisht, Gjykata Speciale do të duhej të themelohet nga Kosova. Themelimi i kësaj gjykate me urdhra nga jashtë më duket e rëndë, më duket sikurse është një tërheqje e fortë e veshit. Megjithatë, jam i bindur se kjo gjykatë nuk do të japë ndonjë rezultat, kush e di se çka, por më mirë do të ishte që Kosova ta themelonte këtë institucion.

“Epoka e re”: Nga këndvështrimi juaj, a dëmtohet imazhi i UÇK-së nga Gjykata Speciale, duke pasur parasysh se Tribunali i Hagës dhe gjykatat vendore janë marrë me krimet e pretenduara të luftës?

Klosi: Përgjigjen e kësaj pyetje do ta jap kur ta mbarojë punën kjo gjykatë. Të shohim se çfarë do të bëjë. Nuk dua të them se a dëmtohemi apo jo, por mirë nuk është.

“Epoka e re”: Z. Klosi, keni vendosur të futeni aktivisht në politikën shqiptare?

Klosi: Nuk kam ndonjë angazhim të mirëfilltë politik. Mendimi im dhe filozofia ime është e majtë. Në këtë drejtim sigurisht jam me të majtën shqiptare, por nuk jam politikan aktiv. Në zgjedhjet e qershorit do të kontribuoj të fitojnë kandidatët e së majtës, sidomos nga zona prej nga vij unë, Mallakastra.