LAJMI I FUNDIT:

Kledi Kadiu, hera e parë e një vallëzimi dashurie

Kledi Kadiu, hera e parë e një vallëzimi dashurie

Atë e duan të gjithë! Pa kushte apo rezerva! Është një nga artistët që duartrokitet gjatë pas çdo performance në skenë apo debutimi në shfaqje të ndryshme artistike, dhe si i tillë vazhdon të lërë gjurmë profesionalizmi kudo!

Nga largimi me anije nga Shqipëria, tek të gjitha të papriturat e një rrugëtimi të ri jete që nisi përtej vendit të origjinës. Gjithçka, Kledi e përmblodhi në të parin libër që mban autorësinë e tij. Ndonëse nuk e quan veten shkrimtar, ai ka shumë për të folur e për të shkruar për gjithë rrjedhën e jetës.

Sot, kujtimet dhe momentet e bukura dominojnë çdo copëz të përditshmërisë së tij! Një prej atyre të fundit, është edhe dasma madhështore që ai organizoi disa javë më parë në Itali. Kurorëzimi i dashurisë me francezen Charlotte, prania e vajzës së tyre të vetme Lea në gjithë këtë ceremoni, e bën edhe më magjik çdo moment. Siç thotë edhe Kledi, gjithçka e mirëmenduar, dhe asgjë e besuar në rastësi, çdo detaj kaloi sipas parashikimeve.


Ai i tillë është! Nuk i le thjesht e vetëm gjërat në dorën e fatit, por punon fort për t’i mbërritur ato. Një tjetër projekt prestigjioz që do e sjell më pranë se kurrë publikut dhe audiencës shqiptare, është spektakli i kërcimit “Dance with me Albania 5”. Nga 10 shtatori Kledi, si pjesë e panelit të gjyqtarëve që do të vlerësojnë çdo performancë të çifteve konkurrente do të jetë përpara jush me gjithë bagazhin e tij profesional dhe artistik.

Shija e interpretimit përballë publikut shqiptar? Është e një lloji krejt tjetër që Kledi e zbulon përmes kësaj interviste eksluzive për revistën Class! Bashkë me të, do të mësoni edhe shumë detaje e të pathëna reale nga jeta e balerinit shqiptar Kledi Kadiu!

Kurorëzimi i dashurisë suaj me partneren Charlotte në një ceremoni dasme madhështore, ka ende shije të freskët. A shkoi gjithçka sipas parashikimeve?

Kur ka kaluar më pak se një muaj nga dasma, ne kemi ende në mendjen tonë emocionet dhe kujtimet e bukura të asaj ditë të paharrueshme në jetën tonë. Ishte një ditë e mrekullueshme në të gjitha drejtimet. Ishim të rrethuar nga miqtë dhe kolegët tanë që erdhën nga e gjithë bota për ta bërë ditën tonë më të bashkuar dhe më të bukur. Natyrisht, prania e vajzës sonë Lea(dy vjeç e gjysmë) ishte qershia mbi tortë.

Pse zgjodhët ta bënit dasmën, pasi u bëtë prindër për herë të parë?

As unë edhe as Charlotte, nuk jemi njerëz që ndjekim një procedurë standarde, jo vetëm në çështjen e martesës, por edhe në festat tona të përbashkëta. Gjithçka erdhi kaq natyrshëm, dhe ne vendosëm me bindje që ta bënim dasmën, me vajzën tonë të pranishme në të.

Bashkëshortja juaj Charlotte, është balerinë gjithashtu, por deri përpara dasmës ju keni pohuar se nuk keni kërcyer asnjëherë së bashku. Si ishte vallëzimi i parë në dasmë?

Po, është e vërtetë! Ne nuk kemi kërcyer kurrë më parë së bashku, sepse nuk na është dhënë mundësia, rasti. Natyrisht, gjatë gjithë fazave të mia të kërcimit ndër vite, ajo ka qenë pranë meje, por bashkë nuk kemi kërcyer ndonjëherë. Ishte kaq emocionuese, edhe pse ne të dy bëjmë të njëjtën punë. Por, vallëzimi në atë ambient, me gjithë magjinë që u krijua në atmosferën e dasmës, e bëri gjithçka unike për të dy ne.

Ishte një kërcim pa koreografi apo i kishit studiuar mirë të gjitha lëvizjet?

Absolutisht, asgjë e studiuar më parë! Gjithçka e improvizuar në moment. Sepse improvizimi është gjëja më e bukur, sidomos në situata të tilla.

Na flisni pak më shumë rreth partneres suaj?

Është një person ndryshe nga unë! Është shumë e qetë. Reflekton shumë përpara se të marrë një vendim, dhe kjo ka qenë një nga gjërat që më ka goditur që në fillim tek ajo. E qeshur dhe gjithmonë ajo gjen një zgjidhje më çdo situatë apo moment.

Si lindi dashuria mes teje dhe Charlotte?

Jemi njohur në një darkë, nëpërmjet një mikeshës sonë të përbashkët, balerinë edhe ajo. Nga ai moment kemi ruajtur kontaktet, dhe më pas ishte një ftesë për darkë nga ana ime, dhe ne u njohëm edhe më shumë.

Duke qenë të së njëjtës fushë profesionale, a ju bën ajo kritika?

Po, dhe është shumë e sinqertë! Unë e vlerësoj shumë të vërtetën e thënë nga ajo, dhe kjo është ndihmë e madhe për mua.

A është Charlotte mbështetja juaj më e madhe?

Sigurisht që po!

Sakrifica më e madhe që keni bërë në emër të dashurisë?

Pas shfaqjeve, edhe pse mund të jem shumë i lodhur, gjithmonë kthehem në shtëpi që të qëndroj me të.

Si po i kaloni këto ditë të nxehta vere, pushime me familjen, me miqtë?

Zakonisht vera është stina më e nxehtë për mua sa i përket punës. Jam gjithmonë i rrethuar me kolegë dhe në udhëtime të vazhdueshme për kërcimin dhe punën nëpër të gjithë Italinë. E konsideroj veten me fat që gjatë kësaj kohe takoj edhe kolegë e miq, ku përtej punës, shijoj edhe argëtimin edhe miqësinë.

Destinacioni që keni zgjedhur?

Më pëlqejnë shumë ishulli Formentera në Ibiza. Edhe këtë vit do të shkojmë në Formentera në mesin e muajit gusht.

Si është Kledi Kadiu baba? Çfarë ka ndryshuar nga ardhja në jetë e Lea-s?

Mendoj se më ka ndryshuar shumë në mënyrën e afrimit dhe raportit tim jo vetëm me të tjerët, por edhe me veten. Jam bërë më i qetë, me më shumë durim. Me pak fjalë, jam bërë njeri më i mirë.

Vetëm pak ditë më parë, ju konfirmuat zyrtarisht se do të jeni pjesë e spektaklit të kërcimit “Dance with me”, në rolin e panelistit kryesor që do të gjykojë performancat e çifteve konkurruese në këtë episod të pestë të spektaklit. Si ju erdhi ftesa?

Ftesa më erdhi nga Vera Grabocka së bashku me Alketa Vejsiun! Me Verën kam mbajtur gjithmonë kontakte gjatë gjithë këtyre viteve, por puna ime, sidomos televizioni nuk më kanë lënë kurrë kohë të lirë për angazhime larg Italisë. Jam shumë i lumtur që ata propozuan emrin tim, për këtë spektakël vallëzimi dhe kërcimi, që vjen në sytë e publikut si një formë shumë pozitive argëtimi.

Ky është rikthimi juaj i parë, i mirëfilltë prej profesionisti, ku roli juaj lidhet drejtpërdrejtë me kërcimin e baletin, gjithashtu. E shikoni si sfidë këtë angazhim?

Në realitet, kjo është ajo çka unë bëj gjithë kohës, vetëm në një gjuhë tjetër dhe me një publik tjetër. Nuk e shoh si sfidë, por më shumë si kënaqësi, sepse pjesëmarrësit nuk janë profesionistë të kërcimit. Sigurisht, që unë do ta shpërblej angazhimin dhe vendosmërinë e tyre me atë që bëj dhe atë që është profesioni im.

Pas pjesëmarrjes në “Amici” dhe disa emisione të tjera të suksesshme në Itali, si mendoni se do të jetë përvoja këtë herë në Shqipëri?

Si diçka shumë pozitive! Gjithashtu për mua do të jetë një risi, por ne do të ecim së bashku në këtë rrugë, njëherësh edhe me publikun.

Ju tashmë jeni një artist i afirmuar në tregun italian dhe një figurë shumë e dashur për publikun atje. Nëse ktheni akrepat e orës mbrapsht dhe kujtoni, sa e vështirë ishte rruga drejt famës dhe suksesit?

Për çdo artist, rruga drejt suksesit nuk është vetëm media, por suksesi profesional dhe ky është gjithmonë i vështirë për t’u arritur. Gjithmonë do të jetë! Është punë e vështirë që kërkon sakrifica aq shumë sakrifica të jetës së përditshme. Por, fati me siguri mund të të ndihmojë në këtë rrugëtim.

Cili është kujtimi më i keq që keni nga fillimet tuaja në Itali?

Mendoj se për asnjë artist nuk ka qenë një fillim i lehtë, sidomos kur ndryshon vendin dhe nuk ju njohin. Sekreti i çdo gjëje është studimi dhe puna e vazhdueshme.

Si ka ndryshuar jeta juaj pas famës?

Do të isha hipokrit të mos pranoja se fama nuk të ndihmon në shumë aspekte të jetës. Është normale. Mandej edhe kënaqësitë materiale vijnë me kohën.

Thuhet se së shpejti do të vlerësoheni me një çmim në Capri të Italisë. Për çfarë bëhet fjalë?

Është një nga çmimet më të rëndësishme të kërcimit në rang ndërkombëtar. Në 26 gusht unë do të shpërblehem me këtë çmim që Roberto ka marrë nga Carla Fraçi dhe shumë artistë të mirënjohur ndërkombëtarisht në botë. Është normale që do të jetë një nder i madh për mua që ta marrë këtë çmim, bashkë me shumë përgjegjësi për të ardhmen profesionale.

Idhulli që ju ka frymëzuar ndër vite në balet?

Pa më të voglin dyshim, i madhi Mikhail Baryshnikov. Shumë gjenerata duke përfshirë edhe timen, u rritën me të dhe Nurejevin. Unë kam qenë mjaftueshëm me fat që kam mundur ta shoh atë në një shfaqje disa vjet më parë, së bashku me balerinën tjetër të madhe Anna Laguna. Nuk kishte vende në teatër dhe shumë spektatorë e panë shfaqjen prapa skenave. Një situatë e papritur më ndodhi mua gjatë ecurisë së shfaqjes: kisha veshur këmishë të bardhë dhe dritat e prerjes binin mbi mua dhe reflektonin në skenë, gjë që e shqetësoi atë, aq sa ai më tha që të vishja diçka të zezë sipër. Gjithmonë do ta kujtoj këtë ngjarje. Në fund të shfaqjes, e kërkova në sallë për një foto, ndërsa ai më dha një buzëqeshje.

Në një intervistë të fundit, jeni shprehur se: “Kërcimi nuk është për të gjithë”, pra jo gjithkush mund të bëhet balerin, sepse vetëm dëshira nuk mjafton. Cila është këshilla që do i jepnit sot të rinjve që duan të ecin në hapat tuaj?

Po është e vërtetë! Kërcimi është një disiplinë që mund t’i ndihmojë fëmijët të rriten në një mënyrë të shëndetshme dhe pozitive, por ndryshon qëllimin kur doni ta bëni atë profesion, domethënë të fitoni bukën e përditshme. Është një udhëtim i vështirë dhe i gjatë dhe vetëm pak njerëz kanë sukses. Ky është një fakt në mbarë botën. Këshilla është e lehtë: shumë punë dhe studim. Kam takuar shumë djem që kishin talentin e lindur, por pak kanë ia kanë dalë që të jenë kampionë sot. Baza e gjithçkaje është ndërgjegjësimi.

Cila është ambicia juaj më e madhe sa i takon karrierës?

Të shoh studentët e mi të rriten profesionalisht dhe të arrijnë qëllimet e tyre.

Ideja e një shkolle profesionale baleti si ju duket?

Ideja është e mirë, por jo të gjithë mund ta bëjnë këtë. Një ekip është një udhëheqës i aftë për të drejtuar me aftësitë dhe përvojën në skenë.

Cilin moment të karrierës tuaj do të veçonit dhe pse?

Skena do të mbetet gjithmonë dashuria ime e parë. Kam investuar një jetë të tërë në studimin e kërcimit dhe në sajë të mësuesve të mi në Akademi ua kam borxh gjithçka që kam sot.

Muskujt që ju keni sot dhe forma e mirë fizike, janë rezultat i ushtrimit në palestër apo i kërcimit ndër vite?

Sigurisht! Studimi i përditshëm gjatë viteve i bën muskujt të marrin një formë të veçantë që nuk është për të gjithë. Si në çdo sektor edhe kërcimi ka evoluar, madje edhe në palestër janë shtuar disiplina si Yoga, Pilates dhe zhanre të tjera. Sot trupat e kërcimtarëve kanë strukturën e tyre për t’u përballur me kërkesat e reja të shfaqjes.

A do t’i rekomandoje vajzave që duan një trup të bukur, një kërcim klasik psh apo një tjetër zhanër?

S’ka dyshim që kërcimi vë në lëvizje trupin tuaj dhe ju ndihmon ta përmirësoni atë.

Kledi balerin dhe Kledi shkrimtar. Si ju lindi ideja për të shkruar një libër autobiografik, në moshën 35 vjeçare?

Mendova që historia ime mund të jetë një mesazh pozitiv për shumë breza. Përmes librit, përfitova që t’i bëj njerëzit më të njohur me figurën time, përtej Kledit që njihnin përmes televizorit. Jo gjithçka, është për një shkak. Me këtë rast tregova vitet e mia në Shqipërinë përpara demokracisë.

Ju nuk e konsideroni veten shkrimtar, por çfarë gjurmësh la kjo përvojë tek ju?

Absolutisht jo! Ishte një eksperiencë si ajo e filmit dhe fiksionit që pasuronte bagazhin tim artistik, por nuk do ta zëvendësojë kurrë baletin.

Tri cilësitë që ju identifikojnë për figurën e artistit që jeni sot?

Është e çuditshme që unë flas për veten time, por nga ajo që të tjerët më thonë: bujar, i sinqertë, me humor.

Ka ndonjë ndryshim që do donit të shihnit në industrinë e baletit?

Meritokracia ka humbur pak vlerën e vetë fjalës…

Hera e fundit kur keni qenë spektator në një shfaqje baleti…

Tek “Liqeni i mjelmave” nga Matthew Bourne (koreograf anglez).

Nëse nuk do të ishit bërë balerin, çfarë do të kishe zgjedhur?

Jam shumë i dhënë pas teknologjisë dhe lajmeve të fundit. Përfundimisht: një krijues videosh.

Gjëja më e mirë o investimi më me vlerë që mendoni se keni bërë për veten gjatë gjithë këtyre viteve?

Vajza ime, Lea.

E fundit: përveç “Dance with me Albania”, cilat janë projektet tuaja të ardhshme në aspektin profesional?

Është një ëndërr, por nuk e di nëse do ta realizoj dot! Të kem një teatër nën drejtimin tim.

Në trend

Më shumë
Faton Peci ushtron kallëzim penal ndaj Paris Gurit, Lumir Abdixhikut dhe zyratrëve të tjerë të LDK-së

Faton Peci ushtron kallëzim penal ndaj Paris Gurit, Lumir Abdixhikut dhe zyratrëve të tjerë të LDK-së

Drejtësi
Nëse e shihni këtë grua, lajmërojeni policinë - dyshohet për vjedhje

Nëse e shihni këtë grua, lajmërojeni policinë - dyshohet për vjedhje

Kronika e Zezë
Suspendohen dy gjyqtarët e UEFA-s pas gabimit të rëndë në Ligën e Kombeve

Suspendohen dy gjyqtarët e UEFA-s pas gabimit të rëndë në Ligën e Kombeve

Ndërkombëtare
Teksa po fluturonte me aeroplan 'mbi llavën e zjarrtë të tij', turistja filmon shpërthimin spektakolar të vullkanit në Islandë

Teksa po fluturonte me aeroplan 'mbi llavën e zjarrtë të tij', turistja filmon shpërthimin spektakolar të vullkanit në Islandë

Evropa
Diana reagon për herë të parë pas daljes nga BBVK, falënderon publikun ndërsa nuk e përmend fare Arionin!

Diana reagon për herë të parë pas daljes nga BBVK, falënderon publikun ndërsa nuk e përmend fare Arionin!

Magazina
Atilla Kardesh rikthehet sonte në spektaklin Big Brother VIP Kosova?

Atilla Kardesh rikthehet sonte në spektaklin Big Brother VIP Kosova?

Magazina
Kalo në kategori