Kjo është përgjigja e Kurtit, kur pyetet për reagimin e Ambasadës së SHBA-së për moscertifikimin e Listës Serbe

"Është çështje e Komisionit Qendror Zgjedhor", ka thënë kryeministri në detyrë, Albin Kurti, derisa është pyetur për moscertifikimin e kandidatëve për deputetë të Listës Serbe.
Kurti është shprehur më i rezervuar të komentojë edhe reagimin e ambasadës së SHBA-së për LVV-në pas moscertifikimit të Listës Serbe nga KQZ-ja, vendim i cili më pas u rrëzua nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.
Pyetjes për deklaratën e Ambasadës Amerikane, e cila kishte thënë se “Përpjekjet e VV-së për të bllokuar certifikimin e Listës Serbe për të marrë pjesë në zgjedhjet e Kosovës janë dritëshkurtra dhe përçarëse”, Kurti iu përgjigj shkurt se janë çështje të ambasadës dhe se ai është kryeministër në detyrë i Kosovës.
“Ajo është çështje e Ambasadës Amerikane, është çështje e KQZ-së, unë jam kryeministër i Republikës së Kosovës”, tha ai.
KQZ-ja të mërkurën nuk certifikoi kandidatët për deputetë të Listës Serbe për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit.
KQZ edhe javë më parë nuk certifikoi Listën Serbe si parti për të marrë pjesë në zgjedhje, mirëpo pas ankesës së tyre, PZAP dhe më pas edhe Gjykata Supreme certifikuan të njëjtën.
Në lidhje me moscertifikimin e kandidatëve për deputetë të Listës Serbe, të enjten reagoi edhe Demokracia në Veprim (DnV), duke shprehur shqetësimin se “ky nuk është rasti i parë që KQZ devijon nga praktikat e mëparshme dhe nga vendimet e PZAP-së dhe Gjykatës Supreme”. /KP/


















































