LAJMI I FUNDIT:

Kitaristi Ledion Halitaj, shkëlqen sërish

Kitaristi Ledion Halitaj, shkëlqen sërish
Ledion Halitaj

Kitaristi nëntvjeçar nga Kosova, Ledion Halitaj, është shpallur fitues i dyfishtë në Festivalin Ndërkombëtar për Kitarë në Transilvani të Rumanisë.

Ai ka zënë vendin e parë në kategorinë “Junior”, dedikuar për grup-moshat deri në dhjetë vjeç, si dhe çmimin e parë në Kategorinë e Parë, ku pjesëmarrësit kanë qenë deri në moshën 12 vjeçare. Në këtë festival kanë marrë pjesë 60 kitaristë nga 18 shtete të botës.


Suksesi i Ledionit në dy kategori e ka gëzuar profesorin e tij, Erhan Mujka.

“Për kategorinë kur përket Ledioni, ky rezultat është pritur duke e ditur se sa kemi punuar, ndërsa sa i përket kategorisë për më të rritur, më shumë ka qenë dëshirë, por që është realizuar dhe jemi shumë të gëzuar”, ka deklaruar Mujka.

Edhe Ledioni është shprehur i lumtur me vlerësimin që i ka dhënë juria profesionale e këtij festivali.

“Jam i gëzuar që kam arritur këtë rezultat. I falënderohem profesorit tim, Erhan Mujka, i cili punon shumë me mua”, ka thënë Halitaj, duke shtuar se tashmë veç është duke u përgatitur për festivalet e radhës.

Këto dy çmime nuk janë të vetmet që sivjet i ka fituar Ledioni. Para pak muajsh, ai ka zënë vendin e parë në dy kategori në Shkup, një vend të parë në Malin e Zi, dhe një në Kosovë.

Ledoni ka filluar të merret me kitarë nga janari i vitit 2020 dhe brenda të njëjtit vit ka fituar katër çmime ndërkombëtare. Për moshën që e ka, Ledioni konsiderohet si talent i rrallë.

Për më shumë, shikojeni interpretimin e mahnitshëm të Ledionit (nga 16m40s deri në 21m40s). /Gazeta Infokus/