LAJMI I FUNDIT:

KFOR-i vazhdon ta ketë të paqartë se ku ndodheshin policët e Kosovës kur u rrëmbyen

KFOR-i vazhdon ta ketë të paqartë se ku ndodheshin policët e Kosovës kur u rrëmbyen

Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka deklaruar të premten se vazhdon ta ketë të paqartë se “ku ishin tre policët e Kosovës kur u arrestuan” më 14 qershor.

Përmes një komunikate për media, KFOR-i ka thënë se ka rishikuar lokacionin e ngjarjes dhe ka biseduar me përfaqësues të institucioneve të Kosovës dhe autoriteteve të Serbisë.


“Bazuar në të dhënat e disponueshme, mbetet e paqartë se ku ndodheshin policët e Policisë së Kosovës në momentin e arrestimit. Në këtë lokacion, afër Vijës Kufitare Administrative, si institucionet në Kosovë ashtu edhe autoritetet serbe kanë përgjegjësi të qarta për t’u koordinuar me KFOR-in”, thuhet mes tjerash.

MPJD-ja thotë se policëve të rrëmbyer nga Serbia s’po u jepet bukë, ujë e kujdes mjekësor
Lexo po ashtu MPJD-ja thotë se policëve të rrëmbyer nga Serbia s’po u jepet bukë, ujë e kujdes mjekësor

KFOR-i ua ka rikujtuar të dyja palëve përgjegjësitë e tyre sipas Marrëveshjes Ushtarako-Teknike ndërmjet Serbisë dhe KFOR-it, si dhe procedurat për koordinim ndërmjet Policisë së Kosovës, përfshirë Policinë Kufitare dhe KFOR-in.

“Gjithashtu ua rikujtojmë të gjitha palëve se vendosja e Forcave të Sigurisë së Kosovës në veri të Kosovës kërkon pëlqimin paraprak të komandantit të KFOR-it. U bëjmë thirrje palëve që t’u përmbahen këtyre marrëveshjeve dhe procedurave për të bashkëpunuar me KFOR-in. Ne u bëjmë thirrje të dyja palëve të përmbahen nga retorika provokuese dhe të shmangin çdo veprim të njëanshëm që mund të përshkallëzojë tensionin në zonë”, kanë thënë nga KFOR-i.

Në fund të komunikatës, KFOR-i ka thënë se i mirëpret përpjekjet e komunitetit diplomatik për zgjidhjen e çështjes dhe mbështet dialogun e lehtësuar nga BE-ja për normalizim raportesh.

“Në koordinim me Policinë e Kosovës dhe EULEX-in, KFOR-i vazhdon të kryejë mandatin e tij si reagues i tretë – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 – për të siguruar një mjedis të sigurt dhe të qetë si dhe lirinë e lëvizjes, për të mirën e të gjitha komuniteteve në Kosovë. Komandanti i KFOR-it, është në kontakt të rregullt me ​​përfaqësues të institucioneve dhe organizatave të sigurisë në Kosovë, si dhe me përfaqësues të Forcave të Armatosura të Serbisë, Misionit të BE-së për Sundimin e Ligjit (EULEX), OSBE-së dhe komunitetit diplomatik”./Telegrafi/