Site icon Telegrafi

Këshilli Prokurorial kërkon nga Avokati i Popullit dërgimin e Ligjit të Pagave në Gjykatën Kushtetuese

Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka njoftuar se i është drejtuar me kërkesë Avokatit të Popullit që në zbatim të dispozitave kushtuese dhe ligjore të referojë Ligjin për Pagat në Sektorin Publik në Gjykatën Kushtetuese.

KPK-ja thotë se ka pasqyruar në këtë kërkesë komentet e vazhdueshme, të cilat janë bërë në lidhje me këtë Ligj.

Sipas KPK-së, me hyrjen në fuqi të Ligjit për Pagat cenohet pavarësia dhe funksionalizimi i sistemit prokurorial për vetë faktin se kjo çështje është vendosur njëherë me Aktgjykimin numër 219/19 të Gjykatës Kushtetuese.

“Të gjitha pretendimet e ngritura nga KPK-ja, të cilat janë dërguar tek Avokati i Popullit, paraprakisht edhe tek hartuesit e këtij Ligji, janë të mbështetura në aktet dhe praktikat ndërkombëtare, të cilat kanë paraparë në mënyrë taksative se kur mund të zbritet paga e prokurorit të shtetit. KPK shpreh gatishmërinë e plotë për të bashkëpunuar me Avokatin e Popullit, me qëllim të referimit të këtij ligji në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës”, thuhet në njoftimin e KPK-së.

Lexo po ashtu Vlera e koeficientit të pagave pritet që javën tjetër të dërgohet për miratim në Kuvend, opozita e quan proces jo-transparent

Po ashtu, aty thuhet se KPK-ja përkrah hartimin e një Ligji për Pagat në Sektorin Publik, i cili duhet të jetë i bazuar në praktikat dhe standardet më të mira ndërkombëtare dhe i cili nuk do të cenojë pavarësinë dhe funksionalizimin e asnjë pushteti. /Telegrafi/

Exit mobile version