“Keqpërdorimi i projektit ‘SKENA’ nga Ministria e Kulturës", regjisori Tertini: Shkelje e rëndë e së drejtës së autorit

Regjisori dhe producenti Valmir Tertini ka reaguar publikisht duke akuzuar për keqpërdorim të emrit dhe konceptit të projektit “SKENA”, duke ngritur shqetësime serioze për cenim të autorësisë dhe mungesë të përgjegjësisë institucionale.
Tertini deklaroi se së fundmi ka vërejtur postime publike nga Kino ARMATA, të ndërlidhura me trajnime në fushën e kinematografisë, ku përdoret emri “SKENA” dhe një përmbajtje konceptuale që, sipas tij, përkon ndjeshëm me projektin origjinal.
Ai sqaroi se “SKENA” është një projekt i krijuar që nga viti 2017, i zhvilluar fizikisht dhe online, i zbatuar në Kosovë, Shqipëri dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i dokumentuar, i regjistruar dhe i mbrojtur ligjërisht. Sipas tij, projekti është financuar tri herë nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), përveç mbështetjes nga institucione publike në Shqipëri.
Në këtë kontekst, Tertini ka ngritur pyetje publike se si është e mundur që një projekt i financuar disa herë nga i njëjti institucion publik, me emër dhe identitet të qartë, të miratohet më pas me të njëjtin emër dhe koncept edhe për një subjekt tjetër.

Ai theksoi se përdorimi i të njëjtit emër dhe i një koncepti thelbësisht të ngjashëm krijon konfuzion publik, cenon pronësinë intelektuale dhe përbën shkelje të parimeve bazë të financimit publik, përfshirë transparencën dhe ndalimin e dyfishimit.
Tertini bëri të ditur se ka dërguar email zyrtar si në MKRS ashtu edhe në Kino ARMATA, me qëllim zgjidhjen institucionale të çështjes, por deri më tani nuk ka marrë asnjë përgjigje.
Ai kërkoi publikisht nga Ministria e Kulturës që të distancohet nga përdorimi i emrit dhe konceptit “SKENA” nga subjekte të tjera dhe paralajmëroi ndjekje ligjore në mungesë të reagimit.
Bajqinovci: Vepra e autorit nuk guxon të përvetësohet
Ekspertja e të Drejtave të Autorit, Luljeta Bajqinovci, ka deklaruar për Telegrafin se e drejta e autorit është një nga të drejtat universale të njeriut dhe se mbrojtja e saj është çështje ligjore, por edhe tregues i nivelit të civilizimit dhe zhvillimit shoqëror.
Ajo theksoi se, pa hyrë në detaje të rastit konkret, një ndër ndalesat kryesore juridike është fakti se vepra e autorit nuk guxon të përdoret, shfrytëzohet, tjetërsohet apo përvetësohet pa lejen e autorit, përveç rasteve të përcaktuara qartë me ligj.
“Sipas informatave paraprake, rezulton se projekti ‘SKENA’ është shfrytëzuar pothuajse në tërësi, si në emër ashtu edhe në përmbajtjen konceptuale, edhe pse i njëjti, me regjisor Valmir Tertini, ka qenë i krijuar, i konkuruar dhe i mbështetur nga MKRS për tre vite radhazi”, ka deklaruar Bajqinovci.
Ajo ka rikujtuar se e drejta e autorit mbrohet gjatë gjithë jetës së autorit dhe 70 vjet pas vdekjes së tij, duke e cilësuar atë si një nga të drejtat më të sigurta dhe më të mbrojtura me ligj.

“Nëse kjo vepër është shfrytëzuar duke u përvetësuar vepra e tjetrit, atëherë kemi të bëjmë me një shkelje të rëndë ligjore, e cila tërheq sanksione juridike”, theksoi ajo.
Bajqinovci kritikoi edhe rolin e Ministrisë së Kulturës, duke vlerësuar se veprimi i MKRS-së është veçanërisht i rëndë, pasi si institucion me rëndësi të veçantë shoqërore, ka lejuar mbështetjen e një projekti tjetër me njëjtesi apo ngjashmëri të skajshme me projektin “SKENA”, pavarësisht ekzistencës së mekanizmave institucionalë për përzgjedhjen e projekteve dhe mbrojtjen e të drejtave të autorit.
Sipas saj, i gjithë procesi duhet të tërhiqet, përndryshe rasti, pa dyshim, do të përfundojë në procedurë gjyqësore të iniciuar nga autori./Telegrafi.
















































