Akademikja Katica Qullakova në fjalimin e saj si bashkautorë e monografisë theksoi se shkupjania Nëna Terezë është maqedonase, me origjinë shqiptare dhe vllehe, e cila sipas saj, si qytetare i takon Indisë dhe tërë botës. Ajo këtë e ka theksuar gjatë promovimit të kësaj monografie, ku ishte e pranishme edhe ministrja e Kulturës, Elizabeta Kançevska-Milevska.

“Ne sot flasim sërish për Nënë Terezën dhe përtërijmë rrëfimin për një shkupjane, një maqedonase, një gruaje me prejardhje shqiptare dhe vllehe, e cila gjatë jetës ishte misionare, e cila si qytetare i takonte Indisë dhe tërë botës, e cila fitoi çmimin Nobel, ndaj ne përballemi me një fakt se bëjmë një rrëfim për një madhështi, e cila nuk është vetëm personalitet historic, por edhe simbol për globin dhe të gjitha kohërat”, theksoi Qullakova.


Drejtoresha e Shtëpisë Përkujtimore “Nëna Terezë”, Renata Kutera-Zdravkovska, theksoi se kjo monografi është botimi i dytë që nxjerrë në dritë ky institucion nacional. Monografia është e pasuruar me disa foto, tekste nga shumë autorë ndërsa ajo është përpiluar nga redaksia e përbërë prej Katica Qukallova, Valentina Bozhinovska, Agim Poloska, Aleksandar Gjorgjiev dhe Marjan Ristov.

Shtëpia Përkujtimore e Nënës Terezë u ndërtua në një lokacion tjetër nga vendi ku gjendej shtëpia e vjetër e familjes Bojaxhiu në sheshin e Shkupit. Ajo nxiti debate në mesin e shoqatave shqiptare dhe protesta, pas një vendimi që ishte ndërmarrë nga Qeveria e kaluar. /INA/Telegrafi/