Katër studentë gjetën vdekjen në një rrëmujë pasi një granatë me gaz lotsjellës u hodh në mes të një asambleje brenda një arene universitare në Bolivi.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, autoritetet thanë se 83 studentë u plagosën ndërsa u përpoqën të largoheshin nga ndërtesa në Universitetin Autonom Tomas Frías në qytetin malor të Potosí të hënën.


Disa nga studentët u trajtuan për fraktura dhe të paktën pesë studentë kanë përfunduar në kujdes intensiv.

Prokurorja e Potosit, Roxana Choque u tha gazetarëve se vdekja e studentëve ishte shkaktuar nga asfiksia për shkak të thithjes së gazit.

Sipas autoriteteve të universitetit, studentët ishin mbledhur për të zgjedhur drejtuesit e rinj të trupit studentor në shkollë përpara se të ndodhte ngjarja tragjike.

“Në mes të asamblesë është shpërthyer një granatë me gaz lotsjellës, e cila ka krijuar një rrëmujë”.

Policia arrestoi katër të dyshuar pas incidentit, duke përfshirë Manfred Flores, 25 vjeç, i cili u identifikua se kishte hedhur granatën në sallën e mbushur me njerëz. /Telegrafi/