Generalitat (qeveria rajonale katalanase) dhe Federata Katalanase e Futbollit (FCF) po shqyrtojnë mundësinë e organizimit të një ndeshjeje miqësore midis përfaqësueses së Katalonjës dhe Palestinës gjatë pushimit ndërkombëtar të nëntorit.

Kjo u konfirmua nga FCF të enjten, gjatë prezantimit të kalendarit dhe aktiviteteve të planifikuara për sezonin 2025/26. Burime pranë federatës kanë bërë të ditur se janë në bisedime me Federatën Mbretërore Spanjolle të Futbollit për të siguruar që ndeshja të luhet më 18 nëntor, datë në të cilën Spanja zhvillon gjithashtu një takim kualifikues ndaj Turqisë për Botërorin 2026.


Ende nuk është përcaktuar stadiumi pritës i miqësores, por opsionet kryesore janë “Olímpico Lluís Companys” në Barcelonë dhe “Nou Estadi Costa Daurada” në Tarragonë, i propozuar nga Nàstic dhe autoritetet lokale.

Trajneri i kombëtares katalanase, Gerard López, ka konfirmuar se tashmë ka kontaktuar disa lojtarë për të parë nëse janë të gatshëm të marrin pjesë, ndonëse ka theksuar se klubet nuk janë të detyruara t’i lëshojnë ata.

“Kjo do të ishte një ndeshje me një komponent shumë të fortë emocional dhe politik, prandaj kuptohet që kërkohet një stadium me kapacitet të madh”, u shpreh Lopez.

Edhe ministri i Sportit i qeverisë katalanase, Berni Alvarez, ka konfirmuar se është në komunikim me FCF për të gjetur datën dhe vendin ideal për këtë përballje.

Nëse realizohet, miqësorja Katalonja–Palestinë do të ketë një ngarkesë të veçantë simbolike dhe do të tërheqë vëmendje ndërkombëtare. Për Palestinën kjo do të jetë ndeshja e dytë në Spanjë brenda pak ditësh, pasi më 15 nëntor ata do të përballen edhe me përfaqësuesen e Baskisë në stadiumin “San Mamés”. /Telegrafi/

telegrafi sport app