Kastrati falënderon Britaninë e Madhe për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës

Kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, ka pritur sot në takim Ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, me të cilin ka diskutuar për mundësitë e bashkëpunimit në dobi të qytetarëve.
Në një njoftim të publikuar në Facebook, Kastrati e ka cilësuar takimin si të ngrohtë dhe miqësor, duke theksuar marrëdhëniet e mira ndërmjet Malishevës dhe Mbretërisë së Bashkuar.
“Sot pata kënaqësinë të mirëpres në Malishevë Ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, mikun tim, Jonathan Hargreaves. Ishte një takim i ngrohtë e miqësor, ku biseduam për bashkëpunim në dobi të qytetarëve tanë”, ka shkruar Kastrati.
Ai ka vlerësuar lart rolin dhe mbështetjen e vazhdueshme të Britanisë së Madhe për Kosovën, veçanërisht gjatë periudhave më të vështira për vendin.
“Malisheva, me shpirtin e saj mikpritës, vlerëson lart Britaninë e Madhe për rolin dhe mbështetjen e saj në periudhat më të vështira për vendin tonë”, ka theksuar kryetari i Malishevës.
Kastrati e ka falënderuar ambasadorin Hargreaves për vizitën dhe përkrahjen e vazhdueshme ndaj komunës dhe Kosovës. /Telegrafi/












































