Kasaforta me para e stoli vidhet në Deçan - Prokuroria nis hetimet, në vendin e ngjarjes del edhe zëvendëskryeprokurorja

Prokuroria Themelore në Pejë po ndërmerr veprime hetimore në vendin e ngjarjes pas raportimeve për një vjedhje të rëndë në Deçan, ku është marrë një kasafortë me sasi të konsiderueshme parash dhe stoli.
Kështu ka deklaruar për Telegrafin zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi.
Nikçi tha se hetimi tashmë është kaluar në fazën rajonale dhe janë dërguar ekipe në vendin e ngjarjes.
“Prokuroria do ta autorizojë policinë për ndërmarrjen e veprimeve hetimore dhe për identifikimin e personit ose personave të dyshuar”, ka deklaruar Nikçi.
Ai gjithashtu njofton se zëvendëskryeprokurorja ndodhet aktualisht në vendin e ngjarjes për të drejtuar hetimet në terren.
Në media është raportuar se shuma e vjedhur është afërsisht 150 mijë euro para të gatshme, si dhe stoli ari në vlerë rreth 6 mijë euro. /Telegrafi/

















































