Seanca e së enjtes plenare në vend u shoqërua me dhunë dhe tensione të ashpra, të shkaktuara nga opozita, e cila pati përplasje fizike me Gardën.

Flakadanët dhe tymueset u rikthyen sërish në Kuvend, teksa opozita akuzoi maxhorancën pas kërkesës së SPAK-ut për të marrë lejen për arrestimin e zv.kryeministres Belinda Balluku.


Opozita kërkoi transparencë për akuzat, ndërsa incidentet e dhunshme shpërthyen kur opozitarët tentuan të ndërprenë seancën dhe të pengonin anëtarët e qeverisë të uleshin në vendet e tyre.

Mediat ndërkombëtare i kanë bërë jehonë situatës së krijuar, në mbyllje të sesionit të fundit të këtij viti.

Reuters, Fox News, The Telegraph dhe disa media të tjera kanë përshkruar kaosin që u krijua në Kuvend, përfshirë hedhjet e shisheve të ujit në drejtim të kryeparlamentarit Niko Peleshi, i cili u detyrua të mbyllte seancën.

Reuters: Ligjvënësit e opozitës u përleshën me Gardën brenda Parlamentit të Shqipërisë, pas disa javësh tensionesh për shkak të akuzave për korrupsion kundër zëvendëskryeministres Belinda Balluku. Opozitarët ndezën fishekzjarrë, hodhën ujë ndaj kryetarit të Parlamentit dhe zunë vendet e rezervuara për ministrat e qeverisë në një përpjekje për të prishur seancën, përpara se të ndërhynte Garda.

Fox News: Deputetët e opozitës u përleshën me Gardën brenda Parlamentit të Shqipërisë, pas javësh të tëra përshkallëzimi të tensioneve lidhur me akuzat për korrupsion kundër zëvendëskryeministres Belinda Balluku dhe zyrtarëve të tjerë të lartë. Ligjvënësit nga Partia Demokratike e opozitës ndezën fishekzjarrë të zinj, hodhën ujë drejt kryetarit të Kuvendit dhe zunë vendet e rezervuara për ministrat e qeverisë në një përpjekje për të ndërprerë seancën, ndërsa Avokati i Popullit i ri i vendit po përgatitej të bënte betimin. Garda ndërhyri, duke i shtyrë ligjvënësit larg foltores dhe duke lejuar që betimi të vazhdonte.

The Telegraph: Parlamenti i Shqipërisë shpërtheu në kaos të enjten kur deputetët e opozitës ndezën fishekzjarrë dhe hodhën ujë në një përplasje mbi dyshimet për korrupsion qeveritar. Deputetët u përleshën me Gardën, hodhën shishe drejt kryetarit të parlamentit dhe zunë vendet e rezervuara për ministrat e qeverisë, ndërsa ndërprenë seancën parlamentare në kryeqytetin e Tiranës. Ata kërkuan të shihnin akuzat që janë ngritur kundër Belinda Ballukut, zëvendëskryeministres dhe ministres së infrastrukturës dhe energjisë së Shqipërisë.

La Republica: Një seancë e dominuar nga tensioni dhe kaosi në Parlamentin e Shqipërisë. Opozita e qendrës së djathtë, e udhëhequr nga Sali Berisha, u përpoq të pengonte anëtarët e qeverisë së Kryeministrit Edi Rama të zinin vendet e tyre, pasi Prokuroria Speciale Antikorrupsion kërkoi heqjen e imunitetit të zëvëndëskryeministres Belinda Balluku.