LAJMI I FUNDIT:

Kanceri i mushkërive – Trajtimi kirurgjikal

Kanceri i mushkërive – Trajtimi kirurgjikal
Dr. Arben Kojqiqi, Kirurg Kardio-Torakal

Kanceri i mushkërive është njëri nga kanceret më të shpeshta në botë. Çdo vit diagnostikohen 1.3 milion raste të reja

Dr. Arben Kojqiqi, MSc, FRCS (CTh)
Kirurg Kardio-Torakal
Tel: 049740729

Në Mbretërinë e Bashkuar, një në shtatë raste të kancereve është kancer pulmonar, që do të thotë në vit diagnostikohen afërsisht 37100 pacient të rinj. Kanceri i mushkërive shkakton rreth 33500 vdekje në vit në këtë shtet dhe është një nga shkaktarët më të shpeshtë të vdekjeve. Pasi që diagnostikimi nuk është i lehtë, një numër i pacientëve mund të vdesin pa u diagnostikuar. Në Shqipëri dhe Kosovë nuk ekzistojnë statistika të sakta në lidhje me numrin e vdekjeve të shkaktuara nga kanceri apo numrin e saktë të paraqitjeve të reja.


Kanceri i mushkërive rrallëherë diagnostikohet në pacientet nën moshën 40-vjeçare. Piku i shfaqjeve është në moshën 75-84 vjeçare. 85% e rasteve prekin pacientet në moshën 60 vjeçare dhe më tej. Meshkujt janë më të prekur se femrat, raporti 3:2. Tek meshkujt, kanceri i mushkërive zë vendin e dytë për nga rastet, pas kancerit të prostatës dhe është përgjegjës për 16% të rasteve të reja të diagnostikuara me kancer. Tek femrat zë vendin e tretë, pas kancerit të gjirit dhe të kolonit, ndërsa është përgjegjës për 11% të rasteve të reja të diagnostikuara me kancer.

Faktorët e rrezikut

Faktorët kryesor të rrezikut për shfaqjen e kancerit të mushkërive janë: duhani, dieta, raca, faktorët e punës, ajri i ndotur, historia familjare.

Duhani

Duhani është njëri nga faktorët e vetëm të rrezikut për shfaqjen e kancerit që është reversibil (i kthyeshëm). Duhanpirësit kanë rrezikun dy herë më të lartë. Mekanizmat përmes të cilëve duhani ndikon në paraqitjen e kancerit janë ende të panjohur. Shumë studime kanë sugjeruar se duhani promovon mutacionet bazë të qelizave si dhe paralizon mekanizmat riparues të qelizave. Kohëgjatësia e pirjes së duhanit është më e rëndësishme sesa sasia e pirjes së duhanit.

Dieta

Të pakta janë të dhënat sa i përket rolit të dietës në shfaqjen e kancerit të mushkërive. Frutat, vegjetalet dhe vitamina A duket se kanë një rol mbrojtës. Efektet absolute të dietës janë ende të panjohura.

Raca

Afro-amerikanet janë më të predispozuar në shfaqjen e kancerit krahasuar me kaukazianët; 81.2-63.2 raste të reja për 100000 banorë. Kjo diferencë racore ndoshta mund të shpjegohet me rritjen e pirjes së duhanit apo me rritjen e ndjeshmërisë gjenetike.

Faktorët e punës

Studime të ndryshme kanë demonstruar se popullata e ekspozuar ndaj radonit, asbestit, arsenit, kromit dhe krometil eterit, kanë një rrezikshmëri më të lartë në paraqitjen e kancerit të mushkërive. Efektet kancerogjene të këtyre substancave ende nuk janë të identifikuara.

Ndotja e ajrit

Ndotja e ajrit mund të rritë rrezikun e shfaqjes së kancerit. Tek punëtorët e industrisë së rëndë është vërejtur një rritje e lartë e përqindjes se dëmtimit të ADN-së. Efektet e këtij dëmtimi janë të panjohura.

Historia familjare

Shfaqja e kancerit tek pjesëtarët e të njëjtës familje mbështet hipotezën se ndjeshmëria gjenetike luan një rol të rëndësishëm në zhvillimin e kancerit. Analizat e bëra në 337 familje me histori kanceri, kanë demonstruar se trashëgimia kodominante e një gjeni të rrallë autosomal, duket se është i lidhur me shfaqjen e hershme të kancerit në personat duhanpirës.

Patologjia

Kanceret e mushkërive janë të tre llojeve:

1. Pa qeliza të vogla (75%),
2. Me qeliza të vogla (20%), dhe
3. Llojet e përziera (5%).

Kanceri pa qeliza të vogla ndahet po ashtu në tre lloje:

1. Karcinoma me qeliza skuamose,
2. Adenokarcinoma dhe
3. Karcinoma me qeliza të mëdha.

Prezantimi klinik

Përafërsisht 90-95% e pacientëve kanë simptoma të kancerit të mushkërive; 27% e simptomave janë dytësore nga tumori primar, 32% e simptomave janë dytësore nga metastazat e tumorit dhe 34% janë simptoma jo specifike si plogështi dhe humbje në peshë. Përkundër këtyre simptomave, vetëm një numër i vogël i pacientëve arrin të diagnostikohet me kancer të mushkërive në fazën e hershme. Arsyet janë të ndryshme, ndër to injorimi i këtyre simptomave nga vet pacienti dhe familjarët si dhe në disa raste, fillimi i trajtimit të simptomave me medikamente pa bërë ndonjë imazheri.

Simptomat pulmonare si: kollitja, dispnea (vështirësi në frymëmarrje), hemoptizia, fishkëllima apo absceset pulmonare, janë si rezultat i infiltrimit të kancerit në mushkëri ose bronke apo si pasojë e metastazave në gjëndrat limfatike.

Simptomat jo pulmonare të shkaktuara nga invasioni i kancerit janë: dhimbje në kutinë torakale (invasion i mureve të toraksit), dhimbje kraharori dhe vështirësi në frymëmarrje (e referuar nga invasioni i diafragmës), invasioni i organeve të mediastinit (nervi recurrent i laringut, vena kava superiore, perikardi, nervi phrenik, ezofagu, vertebrat).

Diagnostikimi

Një histori e detajuar e marrë nga pacienti apo familjarët dhe një ekzaminim klinik i kujdesshëm mund të na drejtojnë drejt diagnostikimit të kancerit. Metodat jo invasive, si: radiografia e mushkërive, tomografia kompjuterike, rezonanca magnetike, positron emission tomografia (PET), citologia, do të japin diagnozën e saktë në mbi 90% të rasteve. Asnjë nga këto ekzaminime të lartpërmendura nuk kanë një saktësi 100% në diagnostikimin e kancerit. Metodat invasive si: FNA (final needle aspiration) nën tomografi kompjuterike apo FNA endoskopike nën ultrazë, bronkoskopia, mediastinoskopia, VATS (video assisted thoracic surgery), torakotomia – japin një diagnozë të saktë në 95-100% të rasteve.

Trajtimi kirurgjikal

Diagnostikimi me kancer mushkërie nuk do të thotë që ai pacient ka një sëmundje të pashëruar. Është e një rëndësie fundamentale që diagnostikimi të bëhet në stadet e hershme, atëherë kur rezultatet e kirurgjisë janë shumë të mira. Kirurgjia nuk guxon t’i mohohet asnjë pacienti vetëm prej rezultateve të ekzaminimeve që kryhen. Pacientët me kancer duhet të diskutohen në takimet MDT (multi disciplinary team meetings) ku janë prezent, pulmologu, kirurgu, radiologu dhe onkologu. Një ekip i tillë bënë vlerësimin dhe analizën e të gjitha ekzaminimeve në tërësi, ndërkaq kirurgu dhe pulmologu bëjnë ekzaminimin klinik të pacientit në tërësi. Një i diagnostikuar me kancer mushkërie në fazën e hershme (I dhe II) nuk do të thotë detyrimisht që ky pacient është i operueshëm dhe e kundërta – një pacient i diagnostikuar në fazat më të avancuara (III dhe IV) nuk do të thotë detyrimisht që është i pa operueshëm. Pra, pacienti duhet ekzaminuar nga një ekip i mirë, i trajnuar në trajtimin e kancerit të mushkërive.

Studimet e shumta të bëra në qendra të njohura ndërkombëtare tregojnë se kanceret janë të operueshme edhe në stadet e avancuara nëse pacientët janë në gjendje të mirë klinike dhe pa sëmundje tjera (kardiovaskulare, neurologjike). Një numër i pacientëve në stade të avancuara duhet t’i nënshtrohen në fillim një trajtimi mjekësor me kimioterapi dhe /ose radioterapi dhe më pas rezektimi i kancerit përmes kirurgjisë.

Te pacient të ndryshëm, trajtimi vazhdon edhe pas kirurgjisë. Te pacientet me kancer të diagnostikuar në fazat e hershme trajtimi kirurgjikal jep rezultate të shkëlqyera. Rrallëherë pacientët duhet t’i nënshtrohen një kure kimioterapie pas ndërhyrjes kirurgjikale (varësisht nga involvimi i gjëndrave limfatike). Trajtimi kirurgjikal përfshinë largimin e një apo dy lobeve të mushkërisë ose pulmonektomi të majtë apo të djathtë, gjithherë nëse ekzaminimet para operatore dëshmojnë një funksion normal të mushkërisë që do mbetet. Kanceret edhe atëherë kur kanë prekur muret e toraksit, diafragmën apo perikardin, janë të largueshme përmes kirurgjisë.

Për të pasur një trajtim sa më të suksesshëm të kancerit të mushkërive, është e një rëndësie të veçantë që diagnostikimi të jetë sa më i hershëm dhe koha nga diagnostikimi deri tek fillimi i trajtimit, qoftë mjekësor apo kirurgjikal të jetë sa më e shkurtë. /Telegrafi/

Në trend Shëndetësi

Më shumë
Dy suplementet e njohura mund të zvogëlojnë rrezikun e një sëmundjeje autoimune deri në 30 për qind

Dy suplementet e njohura mund të zvogëlojnë rrezikun e një sëmundjeje autoimune deri në 30 për qind

Shëndetësi Lajme
Kalo në kategori