Kamenica ndërton ura bashkëpunimi me qytetin japonez Yamaguchi

Kryetari i Komunës së Kamenicës, Kadri Rahimaj ka takuar kryetarin e qytetit Yamaguchi të Japonisë, diskutojnë për bashkëpunimet mes dy qyteteve
Rahimaj theksoi se ky takim kishte për qëllim bashkëpunimin ndërmjet Kamenicës dhe qytetit Yamaguchi.
“Yamaguchi është një qytet i njohur në Japoni për cilësinë e lartë të arsimit dhe traditën universitare, zhvillimin e qëndrueshëm rural dhe agroturizmin, menaxhimin me mjedisin si dhe organizimin e festivaleve kulturore tradicionale që ruajnë trashëgiminë japoneze. Gjatë takimit diskutuam për bashkëpunim të ndërsjellë në fushat e arsimit, kulturës dhe agroturizmit, me theks të veçantë në krijimin e partneriteteve mes shkollave, projekteve rinore dhe promovimin e trashëgimisë sonë kulturore”, ka thënë Kryetari Rahimaj.
I pari i komunës ka thënë se si shenjë mirënjohjeje dhe respekti të ndërsjellë, kanë shkëmbyer dhurata simbolike ku një nga dhuratat që I dorëzuan Kryetarit Ohnishi ishte një pikturë e qytetit të Kamenicës, e realizuar me shumë dashuri nga Medina Ramabaja, nxënëse e klasës së IX-të.
Ky aktivitet është mbajtur në kuadër të ngjarjes ndërkombëtare Osaka Expo 2025, ku Komuna e Kamenicës po përfaqësohet nga Kryetari Rahimaj së bashku me drejtorët Behar Hyseni, Burbuqe Leka dhe Afrim Dervishi.
Në këtë ngjarje të madhe botërore po paraqiten resurset, projektet dhe vizioni për një Kamenicë moderne dhe të qëndrueshme – të hapur për investime dhe partneritete ndërkombëtare. /Telegrafi/



















































