Kadaj-Bujupi, Mogherinit: Marrëveshja Kosovë-Serbi nuk mund të jetë proces shërbyes për ngritje në karrierë

Deputetja nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Donika Kadaj-Bujupi ka thënë se Marrëveshja e mundshme përmbyllëse mes Kosovës dhe Serbisë nuk mund të jetë proces shërbyes për ngritje karriere profesionale e askujt.
Kadaj-Bujupi në një postim në rrjetin social Facebook shkruan se Republika e Kosovës është për dialog, por për dialog të mirëfilltë dhe përtej interesave personale dhe agjendave politike që e dëmtojnë interesin e Republikës sonë.
"Marrëveshja e mundshme përmbyllëse mes Kosovës dhe Serbisë nuk mund të jetë proces shërbyes për ngritje karriere profesionale e askujt. Aq më pak e përfaqësueses së lartë të Bashkimit Evropian, Federica Mogherinit, e cila po kërkon që politika e jashtme e Kosovës të drejtohet me parimin e nënshtrimit ndaj kushteve të Aleksandër Vuçiqit dhe Ivica Daçiqit. Imponimet dhe shantazhet (edhe ato të llojit: kompromise të dhimbshme me Serbinë për liberalizimin e vizave) nuk janë frymë dhe vlerë e Bashkimit Evropian. As ndërmjetësimet me pikëpamje të paracaktuara, siç është 'parti pris'-i. Republika e Kosovës është për dialog, por për dialog të mirëfilltë. Përtej interesave personale dhe agjendave politike që e dëmtojnë interesin e Republikës sonë", shkruan Kadaj-Bujupi. /Telegrafi/



































