Nëse e analizojmë objektivisht veprimtarinë kaçake të Kosovës, doemos duhet analizuar edhe veprimtarinë kaçake të Sanxhakut apo anasjelltas. Gjenocidi serbo-malazez ka qenë intensiv që nga Kongresi i Berlinit dhe pas mbarimit të luftërave ballkanike, atëherë kur Serbia dhe Mali i Zi okupuan Sanxhakun dhe Kosovën. Nga kjo kohë jeta e popullit të Sanxhakut dhe Kosovës ka qenë e padurueshme. Me përkrahjen e Rusisë, këto dy mbretëri pas përfundimit të luftërave ballkanike zgjerojnë territoret e tyre duke dëbuar, vrarë dhe duke ua marrë tokat popullsisë shqiptare. Këto veprime vazhduan edhe më vonë, gjatë Luftës së Parë dhe të Dytë Botërore, mandej vazhdoi edhe në Jugosllavinë socialiste e deri te shkatërrimi i saj.

Pas tërheqjes së pushtetit osman, ushtria okupatore serbe dhe malazeze filloi reprezaljet ndaj shqiptarëve dhe popujve tjerë joserbë. Kjo gjendje e vështirë e detyroi popullatën të formojë çetat kaçake për ta luftuar pushtetin aktual të Serbisë dhe Malit të Zi. Lufta e kaçakëve, forma se si u organizua kryengritja dhe duke u bazuar në rezultatet e arritura, merr karakter politik. Popullsinë e Sanxhakut e karakterizon fakti që kurrë nuk u pajtua të jetë nën sundimin e serbo-malazezëve, e cila rezistencë ka filluar nga viti 1912 pas tërheqjes së perandorisë osmane nga Ballkani.

Pas humbjes së Turqisë dhe okupimit të Sanxhakut nga serbo-malazezët, një numër i madh i tyre, për të shpëtuar kokën, u detyruan të shpërngulën. Ndërsa ata që mbetën qenë detyruar të durojnë represaliet e xhandarmërisë, e pas vitit 1918 edhe represaliet e njësisë paramilitare të Kosta Peçancit, të cilin mbreti Aleksandër në Sanxhak dhe Kosovë e dërgoi për të vënë rend.

Pushteti i instaluar serbo-malazez, për ta shuar lëvizjen kaçake, më 19 gusht të viti 1919 me dekretin e regjentit Aleksandër Karagjorgjeviq, nxori dekret ligjin mbi ndarjen territoriale ushtarake. Divizioni i Kosovës, me qendër në Prishtinë, ndahej në tri qarqe divizioni. Në Qarkun e tretë ishte ai i regjimentit të Novi Pazarit, i cili përfshinte këto rrethe administrative: të Senicës, Dezhevës, Novi Pazarit, Shtavicës, Tutinit, Mitrovicës, Vushtrrisë, Drenicës, Istogut, Rozhajës dhe të Pejës.

Veprimtaria e Komitetit të Kosovës e themeluar në vitin 1919, dhe në kuadër të saj Lëvizja Kaçake, ka qenë e shtrirë në formë të organizuar edhe në Sanxhak. Komitetin për çlirimin e tokave shqiptare e kanë udhëhequr revolucionarët Bajram Curri, Hasan Prishtina, pjesë e së cilës ishte edhe Sanxhaku.

Për gjendjen e vështirë të popullatës, pas okupimit nga Serbia dhe Mali i Zi, reagoi Komiteti i Kosovës që i dërgoi letër presidentit amerikan Vilson më 28 shkurt të vitit 1919 mbi çështjen e Plavës, Gucisë dhe të Rugovës. Anëtarët e Komiteti lusin presidentit Vilson që ai me autoritetin e vet, të ndikojë që të ndërmerren masa lidhur me shpëtimin e popullatës së këtyre vendeve nga veprimet kriminele të serbo-malazezëve. Vetëm në Shkodër gjendeshin afro 5000 refugjatë, të cilëve iu kërcënohej uria për vdekja.

Çetat e Lëvizjes Kaçake, sipas traditës përbëheshin nga 20-50-80-100 vetash. Në këtë kohë në Kosovë ekzistonin 13 grupe të dalluara që vepruan deri në vitin 1924 e diku, deri në vitin1928, por jashtë territorit të Kosovës janë ai i Kërçovës, i Novi Pazarit dhe i Rozhajës, të prirë nga Hysen Boshkoviqi, Jusuf Mehoniqi etj. Po ashtu edhe grupet e Plavës dhe Gucisë të prira nga Mulla Agan Koja etj.

Çarmatimi në Qarkun e Rashkës, i cili përfshinë tri rrethe me popullsi të përzier: myslimane, shqiptare dhe serbe. Në rrethin e Novi Pazarit, Sienicës dhe të Tutinit u bë prej 31 marsit deri më 24 prill 1920, ku gjithsej u gjetën 250 pushkë dhe mjete e armë të ndryshme ushtarake. Për këtë thuhet: 1. Me rastin e çarmatimit nuk është vrarë asnjë kaçak: 2. Shqiptarët me rastin e çarmatimit nuk bënë rezistencë: 3. Humbje në njerëz nuk ka pasur.

Në këtë kohë në Sanxhak, në kuadër të Lëvizjes Kaçake, kanë vepruar grupet të udhëhequra nga Jusuf Mehoniqi, Husein Boshkoviqi, Feriz Sallkoviqit etj. Ata kanë vepruar në territorin e Sanxhakut dhe kanë qenë në lidhje të ngushtë me Bajram Currin. Për sanxhaklinjtë, Lëvizja Kaçake ka pasë karakter çlirimtar sepse këta trima kanë organizuar kryengritje kundër një regjimi gjenocidial i cili popujve jo serb nuk iu ka njohur kurrfarë të drejte. Sanxhaklinjëve, të cilëve iu rrezikua ekzistenca, u ngritën kundër okupatorit dhe në këto treva iu priu Jusuf Mehoniqi.

Jusuf Mehoniqi që nga mosha 14 vjeçare ka luftuar kundër pushtetit serbo-malazez, duke filluar nga viti 1912 deri në fund të jetës së tij më 1926, kur u vra nga xhandarmeria e Ahmet Zogut në afërsi të Shijakut.

Jusuf Mehoniqi, i lindur me 15.8 1883, rrjedh nga treva e Shahoviqit, nga fshati Gërnçarevë. Gjatë kohës kur Sanxhaku ishte nën sundimin e Austrohungarisë, Jusufi në Shahoviq ishte arrestuar dhe dënuar me burg. Nuk qëndroi gjatë dhe arriti të ikte nga burgu duke ia dalë t’ia merr rojës së burgut armën dhe del në mal.

Jusuf Mehoniqi, i respektuar nga populli i Sanxhakut, ka qenë i pakapshëm për policinë dhe xhandarmërinë e pushtetit serbo-malazez. Duke iu falënderuar jatakëve të tij besnikë dhe njohja e mirë e terrenit, ai pati sukses mjaft gjatë t’i rezistoj këtijë pushteti. Ka operuar në tërë territorin e Sanxhakut dhe në një pjesë të Kosovës, ndërsa kohë pas kohe gjeti strehim te miku i tij i madh Bajram Curri në veri të Shqipërisë.

Ajo që i shkoi përdore Bajram Currit në Shqipëri, ta ngritë popullin në kryengritje 1924 dhe ta merr Shkodrën, Peshkopinë dhe Tiranën dhe me këtë rast ta rrëzojë Ahmet Zogun, Jusufit nuk i shkoi përdore ta bëjë të njëjtën gjë në Sanxhak. Regjimi serbo-malazez, ka qenë shumë më i fortë se ai i Zogut, ndërsa edhe populli i Sanxhakut ka qenë shumë i dobësuar nga emigrimi i pandërprerë për Turqi.

Edhe pse bashkëpunimi në mes Mehoniqit dhe Bajram Currit ka qenë në nivel shumë të lartë, forcat reaksionare të Zogut arritën që gjatë vitit 1924 ta thyejnë luftën çlirimtare në Kosovë, në Sanxhak dhe në Shqipëri. Përkrahësit e këtyre udhëheqësve të cilët kanë qenë disa mijëra, në masë të madhe kanë qenë të burgosur dhe të depërtuar në të ashtuquajturat llogore për izolime, siç ishin në Gornji dhe Donji Millanovaci dhe Nishi, ku shumë prej tyre i lanë eshtrat në këto vende.

Në nëntor të viti 1924, malazezët në fshatrat e Shahoviqit dhe Pavino Pole, vranë dhe masakruan mbi 600 banorë të pafuqishëm dhe dëbuan të gjithë të tjerët.

Mbreti Aleksandër disa herë ka dërguar çetnikun kriminel Kosta Peçancin në Sanxhak dhe Kosovë me qëllim për ta shuar Lëvizjen Kaçake, por jo që nuk ia arriti, po mezi që e shpëtoi kokën.

Jusuf Mehoniqi ka vrarë numër të madh të malazezëve të cilët kishin bërë krime në popull. Mohoniqi ka likuiduar Aleksa dhe Voja Morakovqin, Risto, Aleks dhe Todor Boshkoviqin nga Shahoviqi, mësuesin Milllosh Mashkoviq, Aleksandër Saviqin, Adrenija Qetkoviqin e shumë të tjerë.
Gjatë viti 1922 kaçakët më së shumti kanë vepruar në srezin e Pejës, Rozhajës, Istogut dhe Gjakovës.

Krimeve serbo malazeze Jusufi iu është përgjigjur me sistemin “dhëmbë për dhëmbë, sy për sy”. Asnjë krim i tyre nuk ka mundte të kalojë pa u ndëshkua nga Mehoniqi. Gazeta beogradase “Politika” e 13 marsit 1926, duke sjellë lajmin për vrasjen e Mehoniqit, përshkruan edhe “ rezultatet” e aktivitetit disavjeçar të tij: “ Nga ana e kaçakut të Sanxhakut janë vrarë viteve të fundit 5000 serbë, më tepër se për dhjetë vjetë të regjimit turk “.

Suksesi më i madh i tij ishte ai i vitit 1923 kur me ushtarët e tij në Malin Maqkovicë i shkaktoi humbje definitive njësitit çetnik të Kosta Peçancit.

Ky trim i Sanxhakut më aktivitetin e tij luftarak për çlirim dhe mbrojtjen e popullit nga shfarosja ka hyrë në faqet më të ndritshme të historisë së këtij populli. Trimërisë së tij i janë kushtuar poema të cilat akoma këndohen me lahutë .

Flitet për disa versione të vrasjes së tij. Por, më e sakta është ajo e gazetës “Politika” e 13 marsit të viti 1926 e cila ka shkruar:”Prizren, 12 mars 1926. Një patrullë e xhandarmërisë shqiptare ka vrarë pardje në afërsi të Shijakut, Jusuf Mehoniqin, kaçakun e njohur të Sanxhakut”.

Jusufi ishte i martuar me Nazën, me të cilën kishin tre djem. Dy të parët ishin lindur në Sanxhak në kohën kur Jusufi ishte në Lëvizjen Kaçake dhe nga kushtet e vështira të jetës ata nuk kishin jetuar gjatë. Djali i tretë, Lutfo, kishte lindur në Shkodër, në kohën kur Jusufi ishte strehuar dhe i fshehur nga xhandarmëria shqiptare dhe ajo serbo-malazeze. Në një moment kur i kishin ra në gjurmë, dhe kur një xhandar tentoi ta arrestonte, Jusufi ishte i detyruar ta vriste dhe mandej u detyrua të largohet nga Shkodra. Për të qenë më i sigurt u largua dhe u vendos në Shijak te miku i tij, Muharremi nga Kosova. Pas një kohe të caktuar xhandarmëria e Zogut e kishte zbuluar vendndodhjen e tij dhe pasi e kishin rrethuar shtëpinë arrijnë ta likuidojnë. Pas një kohe të caktuar miku i tij dhe bashkëluftëtari Feriz Sallku ( të cilin policia serbe pas disa tentimeve arrin ta likuidojë në vitin 1943, në afërsi të Hamilit) r i cili më herët ishte vendosur në Hamil të Firit, pasardhësit e Jusufit i thërret t’ i bashkëngjiten dhe vazhdojnë të jetojnë së bashku në Hamil të Firit. Lutvo, djali i vetëm i Jusufit, pas veti ka lënë katër djem, Jusufin, Hysenin, Xhevahirin dhe Xhaferin, si dhe dy vajza, Ramizen dhe Hadijen, të cilët aktualisht shumica prej tyre jetojnë Hamil.