Afrim Halimi nga Fushë Kosova kishte përjetuar emocione të përziera kur në tetorin e vitit 2005 ishte njoftuar se ishte gjetur një trup, që dyshohej se i përkiste babait të tij të zhdukur nga lufta e fundit në Kosovë.

Ai rrëfen se për të dhe familjen e tij ka qenë mërzi e madhe, por në të njëjtën kohë edhe lehtësim, pasi që ishte konstatuar se ishin gjetur mbetjet mortore të babait të tij, të ekzekutuar në vitin 1999 nga forcat serbe.


Historia tragjike e Afrimit dhe familjes së tij, sikurse plotë familjeve të tjera në Fushë Kosovë, kishte nisur në ditën e parë të prillit të vitit 1999.

Atë ditë forcat serbe kishin rrethuar Fushë Kosovën, ndërsa familja e Afrimit ishin ndarë në dy pjesë, në mënyrë që të shpëtonin nga ekzekutimi.

“Ngjarja ka ndodhë d.m.th. më 1 prill na kemi shku në fshat. Një pjesë e familjes tonë kanë shku në fshat, një pjesë kanë mbet në shtëpi. Nëna dhe baba me vëllain e vogël kanë mbet në shtëpi. Jemi kanë tre vëllezër që kemi jetu këtu, nëna edhe baba. Ne dy vëllezërit e mëdhenj kemi qenë të martuar, unë i kam pasë dy fëmijë, Bashkimi, vëllai e ka pasë një fëmijë. Dritoni ka qenë i vogli, i ka pas 15 vjet nuk ka qenë i martuar” – fillon rrëfimin e tij Afrim Halimi.

“Kanë tentu disa herë me dalë prej këtuhit, prej këtu me autobus në Prishtinë, sepse Prishtina është konsideru nashta si një zonë pak më e sigurt se Fushë Kosova, edhe i kemi pasë disa sepebe atje në Prishtinë. Por s’i kanë lanë disa herë. Në momentin e fundit është ardh dikush edhe e ka marrë vëllain edhe nanën me veturë, edhe i kanë çu në Prishtinë, te daja i jonë, në Breg të Diellit. Edhe baba ka mbetë këtu me këta dy kojshitë. Kanë mbetë, kanë thënë me nejt kah shtëpia, edhe në momente të caktuara tash më 1 prill, ditën kanë folë njëherë se telefona mobil s’ka pasë atëherë, ka pasë këso telefona fiks. E ka thirrë në telefon nana është ndi për herë të fundit me babën. Kanë folë diku te një kojshi, se këtu i kanë ndalë telefonat domethënë shumicën e lidhjeve telefonike me shqiptarë i kanë ndalë”, rrëfen Halimi .

Kjo ka qenë hera e fundit kur familja ka biseduar me babanë e Afrimit.

Më pas, që nga ajo datë, ai ishte zhdukur dhe nuk dihej asgjë për fatin e tij.

Pas përfundimit të luftës, Afrimi bashkë me vëllanë e tij nisin kërkimin për babanë e zhdukur, por pa sukses.

Babai i Afrimit ishte ekzekutuar në një shtëpi të lagjes, bashkë me 25 persona të tjerë. Trupat e tyre fillimisht ishin varrosur në afërsi të Fushë Kosovës, e më pas ishin bartur në Batajnicë të Serbisë, në një varrezë masive.

“Me datë 1 prill në këtë lagje, 26 vetë në mesin e tyre edhe fëmijë 15 vjet, edhe familje të tëra, familja Zymberi është komplet e zhdukur, e vrarë. I kanë marrë dhe i kanë çu i kanë pushkatu 26 vetë. Domethënë në këtë lagjen tonë 26 vetë janë pushkatu. I kanë zhdukë. Ata sipas të gjitha gjasave i kanë marrë edhe kufomat i kanë bartë dhe i kanë çu në Dardhishtë, i kanë varrosë, sipas, se na kanë thënë me shku me lyp atje, kur jemi shku kemi gjet flokë, kemi gjet sene të njerëzve, domethënë të kufomave. Atëherë i kanë marrë prej Dardhishtës në çfarë mënyre nuk e di, edhe i kanë zhvarros dhe i kanë çu në Batajnicë në Beograd. Domethënë atje pas sa vjetëve tash pas pesë viteve gjashtë e kanë gjet në Batajnicë në qatë varrezën masive” – ka rrëfyer Halimi.

Në tetor të vitit 2005, Afrimi merr një telefonatë nga Ahmet Grajçevci nga Këshilli për të Zhdukurit, i cili e fton për një takim në zyre.

Aty i kumton lajmin se babai i tij mund të jetë gjetur, i vdekur.

“Na ka thirr në telefon ka thënë “i kanë marrë disa kufoma, i kanë nxjerrë prej Batajnicës, edhe supozohet që disa prej tyre janë të komunës së Fushë Kosovës”. Na se kemi ditur kush është, edhe tani pas një kohe po besoj pas nja një jave baca Ahmet na ka thirr në telefon, ka thënë 'hajdi deri te unë, se kam me bisedu diçka'. Jam shku me vëllanë Bashkimin, edhe në zyre na komuniku lajmin që është gjet, domethënë është gjet në Batajnicë edhe mujm me shku me identifiku. Ne erdhëm në shtëpi ju kumtuam lajmin. Domethënë këtu të gjithëve. Ke një mërzi por ke edhe një lehtësim për neve pak a shumë”.

Afrimi kishte varrosur më pas babain e tij në Fushë Kosovë, duke bartur me vete përjetësisht dhimbjen që u shkaktoi 1 prilli i vitit 1999 –  familjes së tij e dhjetëra familjeve të tjera në Fushë Kosovë.

Në ndërkohë, kërkimet për mbetje mortore të viktimave të luftës në Kosovë vazhdojnë.

Në datat 14 dhe 15 maj 2025 autoritetet e Kosovës përfshirë Policinë, Prokurorinë, IML-në dhe Komisionin Qeveritar për të Pagjeturit kanë kryer gërmime në lagjen “Arbëria” të Prishtinës, ku janë gjetur mbetje mortore të tre njerëzve që dyshohet se i përkasin luftës së fundit në Kosovë.

Me 11 identifikimet që janë kryer së fundmi në muajin mars, aktualisht sipas Komisionit Qeveritar për të Pagjeturit në Kosovë janë edhe 1,577 persona që konsiderohen të zhdukur nga lufta e fundit në Kosovë.

Agjencia e Statistikave të Kosovës në regjistrimin e fundit të popullsisë tha se nga lufta janë zhdukur 1, 047 persona, janë plagosur 6,682, janë burgosur 3,312, si dhe kanë pësuar torturë, dhunë, pasoja psikologjike 193,765 njerëz.

Ndërsa sipas të dhënave të Fondit për të Drejtën Humanitare në Kosovë konsiderohen të zhdukur ende edhe 1,636 persona.

Në dhjetor të vitit 2024 Kosova dhe Serbia ishin pajtuar për zbatim të plotë për Deklaratën e Personave të Pagjetur.

Kjo Deklaratë e Përbashkët në mes të dyja shteteve ishte miratuar në maj të vitit 2023, në kuadër të Dialogut dhe përmbante zotime, si: qasje të plotë në informacione të besueshme, mes tyre edhe ato me status të klasifikuar; vënie në dispozicion të të gjitha dokumenteve me rëndësi për përcaktimin e fatit të personave të zhdukur, si dhe punë të përbashkët përmes një Komisioni të kryesuar nga Bashkimi Evropian. /Kallxo.com/