Juve rrezikon të mbetet pa Thuram nëse nuk kualifikohet në Ligën e Kampionëve

Juventus mund të përballet me një humbje të madhe në merkaton e ardhshme verore, pasi Khephren Thuram mund të largohet nga Torino nëse bardhezinjtë nuk arrijnë të sigurojnë një vend në Ligën e Kampionëve.
Mesfushori francez konsiderohet një nga lojtarët më të rëndësishëm të skuadrës dhe situata e tij lidhet ngushtë si me ambiciet sportive, ashtu edhe me aspektin financiar të klubit. Juventus tashmë është jashtë garës për titull dhe objektivi i vetëm i mbetur është përfundimi në katër vendet e para në Serie A.
Eliminimi i fundit ndaj Galatasaray në Allianz Stadium është konsideruar një goditje e rëndë, duke rritur presionin për të shpëtuar sezonin përmes kualifikimit në Champions. Përveç aspektit sportiv, një dështim i tillë do të kishte pasoja të mëdha financiare për klubin.
Nëse rivalët si Como dhe Romës arrijnë të sigurojnë vendet që çojnë në Ligën e Kampionëve, Juventusi jo vetëm që do të mbetet jashtë kompeticionit më të rëndësishëm evropian, por edhe do të humbasë të ardhura të konsiderueshme. Një skenar i tillë mund ta detyrojë klubin të bëjë një shitje të madhe gjatë verës.

Në këtë kontekst, Thuram shihet si kandidati kryesor për t’u larguar. Raportohet se vetë lojtari do të ishte i hapur për një transferim nëse Juventusi përfundon jashtë top 4, në mënyrë që të vazhdojë zhvillimin e tij në nivelin më të lartë europian.
Që nga transferimi i tij në Torino për rreth 20 milionë euro, vlera e Thuram është rritur ndjeshëm dhe tashmë ka tërhequr interesin e disa klubeve të mëdha. Mes tyre është edhe Manchester United, i cili e sheh francezin si një përforcim ideal në mesfushë, sidomos në prag të një largimi të mundshëm të Casemiro. Në “Old Trafford”, ai mund të formojë një treshe interesante me Kobbie Mainoo dhe Bruno Fernandes.
25-vjeçari ka zhvilluar një sezon solid me fanellën e Juventusit, duke regjistruar 38 paraqitje në të gjitha garat, mbi 2700 minuta në fushë, si dhe duke kontribuar me 3 gola dhe 3 asistime./Telegrafi/





















































