Jurgen Klopp merr një punë të re 16 muaj pas largimit nga Liverpooli

Ish-trajneri i Liverpoolit, Jurgen Klopp tashmë ka marrë një pozitë të re në futboll.
58-vjeçari nuk ka marrrë drejtimin e ndonjë skuadre që prej largimit të tij nga posti i trajnerit të Liverpoolit pas sezonit 2023/2024.
Gjermani udhëhoqi klubin anglez për të fituar tetë trofe të rëndësishëm në nëntë vite, duke i dhënë fund pritjes 30-vjeçare për titullin kampion në Ligën Premier në vitin 2020.
Që prej largimit nga Anfield, ka pasur shumë spekulime për lëvizjen e tij të ardhshme dhe nëse do të rikthehet në stolin e trajnerit.
Vitin e kaluar u njoftua se ai do të merrte një rol si Drejtor i Futbollit për grupin Red Bull, duke mbikëqyrur një rrjet klubesh përfshirë RB Leipzig, New York Red Bulls dhe RB Salzburg.
Raportohet se Klopp ofron këshilla mbi strategjinë dhe zhvillimin e trajnerëve për grupin. Megjithatë, tani Klopp ka marrë një rol të ri në futboll, përveç angazhimeve të tij me Red Bull.

Këtë javë, Liga Gjermane e Futbollit (DFL) njoftoi se ai do të jetë anëtar i një grupi të ri ekspertësh që do të këshillojë mbi “trajnimet dhe integrimin e lojtarëve të talentuar”.
“Grupi i ekspertëve do të trajtojë, ndër të tjera, trajnimet dhe integrimin e lojtarëve të talentuar si dhe zhvillimin e mëtejshëm të standardeve dhe strukturave të klubeve. Rezultatet fillestare do të diskutohen në komitetet e ligës në pranverën e vitit 2026 dhe më pas me të gjitha 36 klubet”, thuhej në njoftimin e tyre.
Fituesi i Kupës së Botës 2014 dhe legjenda e Real Madridit, Sami Khedira, është gjithashtu një nga anëtarët e shquar të këtij komiteti./Telegrafi/



































