Pas përfundimit të kontratës me Lille, sulmuesi kanadez Jonathan David është bërë objektiv për disa nga klubet më të mëdha evropiane. Në mesin e tyre, edhe Juventusi që tashmë po e sheh atë si një alternativë serioze.

Juventusi e nisi fuqishëm Kupën e Botës për Klube me një fitore bindëse 5-0 ndaj Al Ain, ku Randal Kolo Muani shkëlqeu me dy gola.


Francezi, i huazuar nga PSG, pas ndeshjes shprehu dëshirën për të qëndruar përgjithmonë në Torino.

Megjithatë, qëndrimi i tij mbetet i pasigurt, pasi PSG kërkon një shumë të konsiderueshme për transferimin e plotë të Kolo Muanit, duke i komplikuar planet e Juventusit për ta mbajtur atë edhe pas huazimit.

Për këtë arsye, drejtuesit e klubit italian po analizojnë alternativa të reja për fazën ofensive. Një nga synimet është ndërtimi i një skuadre më konkurruese që të rikthehet në luftë për trofetë më të rëndësishëm në Itali dhe në Evropë.

Një nga opsionet e lakuara ishte sulmuesi Viktor Gyokeres, por ai ka shprehur preferencë për një kalim te Arsenali, duke refuzuar ofertën e Juventusit. Kjo ka bërë që fokusi të zhvendoset te Jonathan David.

Sipas 'Corriere dello Sport', drejtori Damien Comolli është duke u fokusuar te sulmuesi kanadez, i cili aktualisht është lojtar i lirë. Megjithatë, nënshkrimi me të nuk është pa kosto, kërkesat e tij për pagë dhe komisione janë të larta, me një total që i afrohet 20 milionë eurove.

E ardhmja e repartit ofensivë të Juventusit pritet të qartësohet në javët në vijim. Me Kolo Muanin që mbetet i pasigurt, Gyökeresin jashtë planeve dhe Davidin si opsion primar, "Zonja e Vjetër" duhet të bëjë zgjedhje strategjike për të ndërtuar një sulm të denjë për garat elitare. /Telegrafi/

telegrafi sport app